Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani,ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për situatën aktuale politike, duke vlerësuar se moskonstituimi i Kuvendit mbetet problemi kryesor institucional në vend.
Në një konferencë për media, Ramadani ka deklaruar se VV-ja, sipas tij, ndodhet në “panik ligjor” për shkak të veprimeve të ndërmarra, ndërsa zhvillimet e tjera politike i ka cilësuar si përpjekje për të shmangur zgjidhjen e krizës institucionale.
“Sot është dita e 18 e bllokadës së re, pas qindra ditëve të bllokadave të kaluara që ka bërë VV dhe është duke vazhduar ta bëjë. Thelbi i krejt situatës në të cilën është Kosova, është moskonstituimi i Kuvendit”, ka thënë Ramadani.
Ai ka shtuar se, sipas tij, Vetëvendosje e ka orientuar vendin drejt zgjedhjeve dhe se veprimet e tjera politike janë “alibi” për të mos gjetur një zgjidhje për krizën.
Duke folur për zgjedhjen e presidentit, Ramadani ka theksuar se Aleanca nuk synon marrëveshje politike partiake, por mbështetjen e saj e lidh me gjashtë kërkesat e parashtruara nga kjo parti.
“Për zgjedhjen e presidentit duhet marrëveshje politike, por për marrëveshje politike partiake ne nuk jemi të interesuar. Jemi të interesuar për gjashtë kërkesat tona që janë jetike për Kosovën”, është shprehur ai./teve1.info/
