Veprimtari Ramazan Bekteshi vlerëson se LDK-ja ka kaluar testin e parë të demokracisë së brendshme, por thekson se sfida vendimtare mbetet krijimi dhe konsolidimi i institucioneve shtetërore.
Sipas tij, nëse partia arrin të ruajë unitetin dhe të kontribuojë në zgjidhjen e ngërçit institucional, do të dëshmojë se proceset e brendshme ishin shenjë e demokracisë së mirëfilltë.
Në të kundërtën, Bekteshi paralajmëron se LDK-ja rrezikon të përballet me pasoja politike dhe të humbasë pozitën e saj në skenën politike.
Shkrimi i plotë:
LDK: Nga testi i demokracisë së brendshme te prova e shtetndërtimit
Sot, në Kosovë, pak parti politike kanë guximin të përballen me sfidat e brendshme, respektivisht ta sfidojne kryetarin e partise. Megjithatë, LDK-ja u përball me një sfidë të tillë brenda vetes, duke e vënë në provë demokracinë e saj të brendshme. Ky ishte testi i parë dhe, nëse shihet si një proces demokratik, ai u kalua me sukses.
Por testi i vërtetë ende nuk ka përfunduar. Nëse LDK-ja e kalon edhe testin e dytë, atë të krijimit dhe konsolidimit të institucioneve shtetërore, atëherë do të dëshmojë se përballja e brendshme nuk ishte një lëvizje formale apo një proces “sa për sy e faqe”, por një shenjë e demokracisë së mirëfilltë partiake.
Në të kundërtën, nëse dështon në këtë fazë vendimtare, atëherë do të ngrihen pikëpyetje serioze nëse testi i parë ishte një proces demokratik apo vetëm një përplasje e përkohshme që nuk solli stabilitet politik. Në një skenar të tillë, LDK-ja do të përballej edhe me përgjegjësinë politike për një krizë të re institucionale, pasi ajo shihet si alternativa e fundit për një koalicion të mundshëm, duke qenë se PDK-ja ka deklaruar publikisht se do të qëndrojë në opozitë.
Në këtë moment, LDK-ja ndodhet përballë një prove ekzistenciale. Nëse edhe zërat kundërshtues brenda saj, të cilët janë cilësuar nga disa si “puçistë” dhe vendosin ta mbështesin një qëndrim të përbashkët partiak në çështjet kyçe, përfshirë zgjedhjen e presidentit, atëherë kjo mund të dëshmojë se partia ka tejkaluar turbulencat e brendshme dhe ka hyrë në një fazë të re konsolidimi.
Por nëse përçarjet vazhdojnë, atëherë humbësi më i madh mund të jetë vetë LDK-ja, duke e rrezikuar pozitën e saj historike në skenën politike dhe duke u shtyrë drejt një gare për vendin e katërt me partitë e tjera opozitare.
Pyetja kryesore mbetet: A do ta dobësojnë LDK-në përplasjet e brendshme, apo ky ishte një test i vërtetë i demokracisë partiake dhe i frymës institucionaliste rugoviane? Përgjigjen do ta japin zhvillimet e ditëve në vijim.
