Gjykata e Apelit do të shqyrtojë sot ankesat e paraqitura kundër aktgjykimit për vrasjen e Liridona Ademajt, për të cilën Naim Murseli është dënuar me burgim të përjetshëm.
Seanca është caktuar të mbahet në orën 11:10, në Pallatin e Drejtësisë në Hajvali.
Mbrojtja e Murselit, përmes një ankese prej 30 faqesh, ka kërkuar anulimin e aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë ose shqiptimin e një dënimi më të butë.
Avokatët e tij pretendojnë se gjykata e shkallës së parë i ka vlerësuar provat në mënyrë të njëanshme dhe selektive. Ata kanë ngritur kundërshtime edhe lidhur me mënyrën e marrjes në pyetje të Murselit nga policia.
Në ankesë, mbrojtja ka kundërshtuar edhe mosmiratimin e disa propozimeve të saj, përfshirë rikonstruktimin e vendit të ngjarjes dhe ekzaminimin e rrobave të Murselit.
Ankesë në Gjykatën e Apelit ka paraqitur edhe Leotrim Syla, avokati i familjes së Liridona Ademajt, i cili ka kërkuar që me burgim të përjetshëm, krahas Naim Murselit dhe Granit Plavës, të dënohet edhe Kushtrim Kokalla.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 21 prill 2026, kishte dënuar me burgim të përjetshëm Naim Murselin dhe Granit Plavën, ndërsa Kushtrim Kokallën me 30 vjet burgim.
Liridona Ademaj ishte vrarë më 29 nëntor 2023, në një rast që fillimisht ishte raportuar si grabitje.
Në seancën e sotme pritet të shqyrtohen ankesat e paraqitura kundër aktgjykimit të shkallës së parë.
