Lajme

Reagimi i fortë brenda PS-së/ Erion Braçe del kundër Ballës për Reformën Territoriale: Nuk i trembem votës kundër e sanksioneve!

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar sërish dje për Reformën Territoriale, pas qëndrimit të mbajtur në mbledhjen e grupit parlamentar socialist dhe debatit mbi votën e deputetëve. Përmes një shënimi në rrjetet sociale, z. Braçe sqaron se nuk është kundër reformës së pushtetit vendor dhe e konsideron atë një nevojë, por kundërshton që procesi të reduktohet vetëm në ndryshimin e hartës territoriale. Reagimi vjen pasi kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, deklaroi se vendimi politik i grupit është vota pro reformës së re territoriale.

Braçe, ndërkohë, ka bërë të qartë se qëndrimi i tij nuk do të ndikohet nga mundësia e sanksioneve për një votë kundër. “Për të bërë gjënë e duhur, nuk e kam fare problem as votën kundër dhe as sanksionet e saj si kërcënim. Fare! Sepse është përgjegjësia jonë të bëjmë gjënë e duhur, vërtet, jo të bëjmë sikur; të mbështetemi mbi parime dhe të sjellim një reformë që përmirëson qeverisjen në këtë nivel”, shkruan Braçe. Sipas deputetit socialist, Reforma Territoriale duhet të ndërtohet mbi parime dhe kritere të njëjta për të gjithë territorin dhe të synojë përmirësimin e qeverisjes vendore. Ai ndalet veçanërisht te Tirana, duke argumentuar se modeli i zhvillimit të kryeqytetit duhet të jetë në qendër të diskutimit. Sipas tij, synimi duhet të jetë nxjerrja e Tiranës nga varësia e thellë nga ndërtimi dhe nga financimi i funksioneve dhe shërbimeve përmes tij.

Z. Braçe kërkon gjithashtu një decentralizim më të thellë, përmes transferimit të pushtetit, kompetencave, funksioneve, tatimeve, taksave dhe buxheteve nga qeveria qendrore drejt pushtetit vendor. Sipas tij, përqendrimi i pushtetit në dy pole nuk u shërben qytetarëve, ndërsa reforma duhet të mundësojë delegimin e kompetencave deri në hallkën më të afërt me ta.

Të Ngjashme