Lajme

Shpendi që po ndryshon komunikimin për shkak të aktivitetit njerëzor

Një rritje e aktivitetit njerëzor po ndikon në mënyrën se si jeton dhe komunikon monali i Himalajeve, sipas dy studimeve të studiuesve indianë.

Shpendi, i cili është shpendi shtetëror i Uttarakhandit në Indi dhe shpendi kombëtar i Nepalit, po përballet me humbjen e habitatit për shkak të zhvillimit të infrastrukturës dhe turizmit, ndërsa zhurma po ndryshon mënyrën se si komunikon.

Një studim tregon se monalët po zhvendosen drejt lartësive më të mëdha, pasi livadhet alpine po ngushtohen nga aktiviteti njerëzor.

Ndërkohë, ndryshimet klimatike pritet të zvogëlojnë dhe fragmentojnë më tej habitatin e tyre deri në vitin 2100, duke rritur rrezikun për shumim më të ulët dhe zhdukje lokale.

Në studimin tjetër, studiuesit regjistruan më shumë se 700 thirrje të monalit në dy lugina të Uttarakhandit. Në zonat me trafik dhe turistë, shpendët përdorën frekuenca më të larta dhe thirrje më të shkurtra për të komunikuar përmes zhurmës njerëzore. Studiuesit theksojnë se ky është një ndryshim i sjelljes dhe jo domosdoshmërisht një ndryshim evolucionar.

Sipas transmetuesit britanik BBC, ekspertët thonë se ndryshimet në habitat dhe komunikim tregojnë për presionin në rritje ndaj ekosistemit të brishtë të Himalajeve, të shkaktuar nga turizmi, urbanizimi, zhvillimi i infrastrukturës dhe ndryshimet klimatike.

Të Ngjashme