Lajme

Reagon Nagavci pas raportimeve për PISA-n: Deklarata ime është shtrembëruar

Ish-ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka reaguar pas raportimeve në media lidhur me deklaratën e saj për rezultatet e testit PISA, duke akuzuar disa media se kanë shkëputur një pjesë të përgjigjes së saj nga konteksti.

Nagavci ka mohuar se është shprehur e kënaqur me rezultatet e Kosovës në PISA, duke thënë se ajo që ka vlerësuar pozitivisht është puna e bërë gjatë mandatit të saj si ministre e Arsimit.

Sipas saj, barazimi i këtyre dy deklaratave përbën “shtrembërim” të asaj që ka thënë.

Postim i plotë:

Në lidhje me deklaratën time të sotme për media rreth rezultateve të testit PISA, po shoh se disa media kanë zgjedhur qëllimisht ta shkëpusin një pjesë të përgjigjes sime nga konteksti dhe ta paraqesin atë sikur unë jam shprehur e kënaqur me rezultatin e Kosovës në PISA.

Asnjëherë nuk kam thënë se ndihem mirë për rezultatin e Kosovës në PISA. Kjo është e pavërtetë dhe dëshmohet lehtësisht duke e dëgjuar deklaratën time të plotë. Ajo që kam thënë është se ndihem mirë për punën që kam bërë gjatë mandatit tim si ministre e Arsimit. Përpjekja për t’i barazuar këto dy deklarata nuk është interpretim, por shtrembërim i asaj që kam thënë.

Dhe për punën e bërë kemi çfarë të flasim. Gjatë mandatit tim si ministre, arsimi është trajtuar me politika dhe masa konkrete si: rritja e buxhetit për arsimin, rishikimi i teksteve mësimore, zgjerimi i edukimit në fëmijërinë e hershme dhe investimet në çerdhe, mbështetja dhe zhvillimi profesional i mësimdhënësve, investimet në infrastrukturën shkollore, si dhe politikat për rritjen e cilësisë dhe llogaridhënies në arsim.

Askush nuk pretendon se problemet shumëvjeçare të arsimit zgjidhen brenda një mandati. Aq më pak që efekti i reformave arsimore të matet menjëherë përmes një testi ndërkombëtar. Por është po aq e rëndësishme që diskutimi për rezultatet e PISA-s të bëhet mbi fakte dhe me seriozitet, e jo duke manipuluar deklarata për të prodhuar tituj.

Kritika është e mirëseardhur. Dezinformimi jo.

Për korrektësi ndaj publikut, kërkoj nga mediat që kanë publikuar tituj dhe interpretime të tilla ta transmetojnë deklaratën time të plotë dhe t’i korrigjojnë raportimet e pasakta.

Të Ngjashme