Lajme

Nesër protesta e madhe në Tiranë, qytetarët nuk mungojnë as në ditën e 160-të para Kryeministrisë

Një protestë kombëtare anti-qeveritare është parashikuar të mbahet ditën e nesërme në Tiranë.

Studentët kanë njoftuar nisjen e protestës në orën 14:00, për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama si dhe formimin e një qeverie teknike, dy kushte të panegociueshme të tyre që kanë çuar edhe në refuzimin e dialogut me Ramën.

Në të njëjtën kohë, edhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka njoftuar se demokratët do të jenë pjesë e protestës. Ai u ka bërë thirrje simpatizantëve të PD-së të dalin nesër në mbështetje të studentëve, ndonëse këta të fundit kanë treguar se nuk i mirëpresin deputetët demokratë mes tyre.

Një grup qytetarësh dhe studentësh kanë vijuar të protestojnë edhe gjatë mbrëmjes së sotme, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përballë me Kryeministrinë, duke mos u sprapsur nga gjobat që policia u vendos për bllokim të qarkullimit të makinave. Janë të paktën 19 protestues të gjobitur me këtë arsye deri tani.

Sot ishte dita e 160-të e protestës që njihet me emrin “Revolucioni Flamingo”.

Të Ngjashme