Lajme

Refuzimi i Limajt nga PDK-ja, analisti zbulon arsyet dhe çfarë fshihet pas këtij vendimi!

Kryetari i Nisma-s, Fatmir Limaj, ditë më parë i ka dërguar letër kreut të PDK-së, Bedri Hamza, që partia e tij të jetë pjesë e listës së kësaj partie në zgjedhjet e 7 qershorit.

Por, në mbledhjen e kryesisë së PDK-së, të mbajtur të hënën u vendos që të refuzohet kërkesa e Limajt.

Ai theksoi se Fatmir Limaj nuk do të jetë pjesë e garës me PDK-në në këto zgjedhje, por sipas tij, është i mirëpritur në zgjedhjet e ardhshme kurdo që mbahen.

Në letër Limaj shprehu gatishmërinë për bashkëpunim dhe bashkim politik, në atë që e ka quajtur lëvizje në “funksion të krijimit të një alternative të fuqishme dhe përfaqësuese për qytetarët e Republikës së Kosovës”.

“Ne besojmë se një bashkim i tillë nuk përfaqëson vetëm një marrëveshje politike apo elektorale, por edhe një frymë të bashkëpunimit ndërmjet njerëzve dhe strukturave që për vite të tëra kanë ndarë ideale, sakrificë dhe vizion të përbashkët për Kosovën”, ishte shprehur kreu i NISMA, Fatmir Limaj.

E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik Nexhat Haziri.

Analisti thotë se vendimi i PDK-së për të mos e rikthyer Fatmir Limajn në listën e kandidatëve për deputetë është një veprim i gabuar dhe i dëmshëm politikisht, sepse Limaj konsiderohet figurë me peshë elektorale dhe refuzimi i tij mund t’i largojë vota PDK-së në zgjedhje.

Image
Nexhat Haziri

Vendimi i PDK-së për mospranimin e Fatmir Limajt brenda listës së saj të kandidatëve për deputetë, pra një rikthim të z. Limaj në PDK, përbën një nga vendimet më të pakuptimta të këtij subjekti politik dhe një ngjarje negative që do ta karakterizojë këtë proces zgjedhor. Natyrisht, ky vendim nuk do të jetë aspak përfitues për PDK-në në aspektin elektoral, pasi për partitë politike garuese në procese zgjedhore është e vlefshme dhe e rëndësishme çdo vote”, u shpreh ai.

Në fund, analisti nënvizon që arsyet lidhen jo vetëm me raportet e prishura mes Limajt dhe ish-krerëve të PDK-së, por edhe me frikën e disa zyrtarëve të partisë nga fuqizimi i tij brenda PDK-së pas zgjedhjeve.

Arsyet nuk qëndrojnë vetëm te raportet e përkeqësuara mes z. Limaj dhe PDK-së, apo ish-liderëve të saj, Thaçi e Veseli, që datojnë që nga viti 2014, por edhe te frika e një grupi zyrtarësh të kryesisë së PDK-së, sidomos atyre që vijnë nga degët e Prishtinës, ndaj z. Limaj dhe fuqizimit të tij brenda PDK-së, gjë që mund të ndodhë pas këtij procesi zgjedhor”, përfundoi analisti Haziri për “Bota sot”.

Të Ngjashme