Emmy Awards 2026 solli një mbrëmje me fitues të mëdhenj, rekorde të reja dhe disa surpriza në Peacock Theater në Los Angeles, ku u nderuan produksionet dhe interpretimet më të spikatura të televizionit amerikan.
Ceremonia u drejtua këtë vit nga Mariska Hargitay, e cila hapi mbrëmjen me një monolog humoristik dhe një paraqitje surprizë të yllit të New York Knicks, Jalen Brunson.
Para ndarjes së çmimeve, “The Pitt” hynte në garë me 25 nominime, ndërsa “Hacks” e ndiqte me 24 dhe “Widow’s Bay” me 19. Në fund, megjithatë, ishin “The Pitt” dhe “Widow’s Bay” që morën dy trofetë më të rëndësishëm të mbrëmjes.
“The Pitt” u shpall seriali më i mirë dramatik, ndërsa “Widow’s Bay” fitoi si seriali më i mirë komedi. Në kategorinë e serialeve të kufizuara ose antologjike triumfoi “DTF St. Louis”.
Por një nga protagonistët absolutë të mbrëmjes ishte Matthew Rhys.
Aktori bëri histori duke fituar dy çmime në të njëjtën ceremoni dhe në dy kategori të ndryshme. Ai u shpall aktori më i mirë në një serial komedi për “Widow’s Bay” dhe aktori më i mirë në një serial të kufizuar për “The Beast in Me”.
Një tjetër emër që vazhdoi dominimin në Emmy ishte Jean Smart. Falë rolit në “Hacks”, ajo fitoi sërish çmimin si aktorja më e mirë në një serial komedi, duke e marrë trofeun në këtë kategori për të pestin sezon të serialit.
Në dramë, Noah Wyle fitoi si aktori më i mirë për “The Pitt”, duke lënë pas Sterling K. Brown, Gary Oldman, Mark Ruffalo dhe Rufus Sewell.
Ndërsa çmimi për aktoren më të mirë në një serial dramatik shkoi për Rhea Seehorn për “Pluribus”. Seriali mori edhe një tjetër trofe të rëndësishëm, atë për skenarin më të mirë dramatik, me Vince Gilligan.
“Widow’s Bay” ishte megjithatë një nga fituesit absolutë të gjithë ceremonisë.
Përveç çmimit si komedia më e mirë dhe fitores së Matthew Rhys, seriali solli trofe edhe për Stephen Root si aktori më i mirë dytësor, Kate O’Flynn si aktorja më e mirë dytësore dhe Betty Gilpin si aktorja më e mirë e ftuar.
Hiro Murai fitoi për regjinë, ndërsa Katie Dippold mori Emmy-n për skenarin, duke e kthyer serialin në një prej produksioneve më të shpërblyera të mbrëmjes.
Në kategorinë dramatike, “The Pitt” nuk u mjaftua vetëm me trofeun kryesor. Noah Wyle fitoi për interpretimin protagonist, ndërsa Ernest Harden Jr. u shpall aktori më i mirë i ftuar.
Edhe “DTF St. Louis” pati një natë të suksesshme. Krahas çmimit si seriali më i mirë i kufizuar ose antologjik, Linda Cardellini fitoi si aktorja më e mirë dytësore dhe David Harbour si aktori më i mirë dytësor në këtë kategori.
Sally Field mori Emmy-n si aktorja më e mirë në një serial të kufizuar ose film televiziv për “Remarkably Bright Creatures”, produksion që fitoi gjithashtu çmimin për filmin më të mirë televiziv.
Mes fituesve të tjerë, Allison Janney u shpall aktorja më e mirë dytësore në dramë për “The Diplomat”, ndërsa Tom Pelphrey fitoi homologun mashkullor për “Task”.
“The Traitors” vazhdoi suksesin në reality television, duke u shpallur programi më i mirë reality competition, ndërsa Alan Cumming fitoi si prezantuesi më i mirë i një programi reality ose competition.
“South Park” mori çmimin për programin më të mirë të animuar, ndërsa “The Late Show With Stephen Colbert” fitoi në kategorinë e varietesë.
Një tjetër trofe i rëndësishëm shkoi për “The Apple Music Super Bowl LX Halftime Show Starring Bad Bunny”, i cili u shpall speciali më i mirë live i varietesë.
Në fund të mbrëmjes, tabloja ishte e qartë: “The Pitt” dominoi dramën, “DTF St. Louis” kategorinë e serialeve të kufizuara, ndërsa “Widow’s Bay” u kthye në fenomenin e madh të Emmy Awards 2026, duke fituar jo vetëm çmimin kryesor të komedisë, por edhe një seri trofesh për aktorët dhe ekipin krijues.
Një edicion që konfirmoi disa prej favoritëve, krijoi fitues të rinj dhe i dha Matthew Rhys një nga ato net që hyjnë direkt në historinë e Emmy-ve./CLASS
