Ish-sulmuesi i Anglisë, Andy Carroll, ka zbuluar emrin e personit që e sulmoi seksualisht në vitin 2019, ndërsa flinte në shtëpinë e tij. Bëhet fjalë për koreografin dhe instruktorin e vallëzimit, Kevin Adams, i cili është dënuar me burg për këtë ngjarje.
Carroll, 37 vjeç, e kishte rrëfyer ngjarjen në autobiografinë e tij “Owning It”, pa bërë fillimisht publik emrin e autorit. Ai tregoi se një i njohur kishte qëndruar në shtëpinë e tij pas një mbrëmjeje ku kishin ndjekur një ndeshje boksi. Gjatë natës, futbollisti u zgjua dhe zbuloi se po sulmohej seksualisht.
“Kam qenë viktimë e një sulmi seksual. Është e frikshme edhe ta mendosh. Vetëm disa persona e dinin deri tani”, kishte shkruar Carroll, duke shpjeguar se trauma ndikoi në shumë aspekte të jetës së tij, përfshirë edhe përqendrimin në futboll.
Disa vite më pas, Carroll vendosi të konfirmonte publikisht identitetin e autorit. Sipas tij, emri i Kevin Adams ishte shfaqur në dokumente gjyqësore të bëra publike. Adams, një koreograf i njohur për pjesëmarrjen në programe televizive britanike si “Fame Academy” dhe “Strictly Come Dancing: It Takes Two”, u dënua nga Gjykata e Kurorës në Chelmsford në vitin 2023.
Adams u dënua me 20 muaj burg, u përfshi për 10 vite në regjistrin e personave të dënuar për vepra seksuale dhe iu ndalua hyrja në zonën ku banon Carroll. Para dënimit, ai drejtonte një akademi kërcimi për fëmijë në Harlow, Essex.
“ Tani që Kevin Adams është identifikuar në dokumentet gjyqësore si personi që më sulmoi, mund ta konfirmoj. Shpresoj që më në fund të mund ta lë pas këtë kapitull. Jam gati të vazhdoj përpara. Kjo pati një ndikim shkatërrues në jetën time dhe në jetën e njerëzve të mi të dashur”, deklaroi Carroll.
Ish-sulmuesi i Liverpoolit dhe Anglisë theksoi se vendimi për të folur publikisht kishte ardhur pas një periudhe të gjatë reflektimi, me shpresën se rrëfimi i tij mund t’u shërbejë edhe personave të tjerë që kanë përjetuar trauma të ngjashme.
