Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se deri më tani janë aprovuar 99 mijë e 498 kërkesa për regjistrim të votuesve nga diaspora, nga gjithsej 117 mijë e 246 aplikime të pranuara për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit.
Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, 7 mijë e 621 aplikime janë refuzuar, ndërsa më shumë se 10 mijë të tjera mbeten ende në proces shqyrtimi.
Shtetet me numrin më të madh të votuesve të regjistruar janë Gjermania me 49 mijë e 102 votues dhe Zvicra me 23 mijë e 456. Pas tyre renditen Franca me 4 mijë e 193 votues, Suedia me 3 mijë e 750, Austria me 3 mijë e 165, Mbretëria e Bashkuar me 2 mijë e 370, Italia me 2 mijë e 206 dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 2 mijë e 70 votues. Në listë përfshihen edhe Belgjika, Sllovenia, Norvegjia dhe Finlanda.
KQZ-ja ka njoftuar se votimi në përfaqësitë diplomatike do të mbahet më 6 qershor 2026, një ditë para zgjedhjeve në Kosovë. Procesi i votimit do të nisë në ora 07:00 dhe do të përfundojë në ora 19:00, sipas kohës lokale të secilit shtet.
Nga numri total i aplikimeve të aprovuara, 22 mijë e 955 qytetarë janë regjistruar për të votuar fizikisht në ambasada dhe konsullata, 2 mijë e 590 përmes dërgimit të fletëvotimeve në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë, ndërsa 73 mijë e 953 do të votojnë duke i dërguar fletëvotimet në kuti postare jashtë vendit.
