Përqindja e qytetarëve që thonë se do të largoheshin përgjithmonë nga Kosova nëse do ta kishin mundësinë është rritur krahasuar me matjen e fundit të opinionit publik, sipas hulumtimit të Institutit Demokratik Kombëtar (NDI), të realizuar në maj 2026.
Sipas anketës, 28 për qind e të anketuarve deklaruan se do të zgjidhnin të shpërnguleshin në një shtet tjetër, krahasuar me 16 për qind në dhjetor 2024. Në të njëjtën kohë, 62 për qind thanë se do të zgjidhnin të qëndronin në Kosovë, ndërsa 8 për qind u deklaruan të pavendosur.
Megjithatë, përqindja e atyre që do të qëndronin në Kosovë mbetet dukshëm më e lartë se e atyre që do të largoheshin.
Sipas grupmoshave, dëshira për t’u larguar është më e theksuar te të rinjtë. Plot 44 për qind e të anketuarve të moshës 18-24 vjeç thanë se do të shpërnguleshin, ndërsa 46.3 për qind do të qëndronin në Kosovë. Në grupmoshën 25-34 vjeç, 37.1 për qind do të largoheshin, kundrejt 50.8 për qind që do të qëndronin.
Ndër grupmoshat më të mëdha, gatishmëria për emigrim bie ndjeshëm. Vetëm 22.3 për qind e personave të moshës 45-54 vjeç, 15.2 për qind e atyre 55-64 vjeç dhe 11.6 për qind e qytetarëve 65 vjeç e më shumë thanë se do të largoheshin nga vendi.
Anketa tregon gjithashtu se nuk ka dallime të mëdha mes gjinive. 28.5 për qind e burrave dhe 26.5 për qind e grave u shprehën se do të zgjidhnin të jetonin në një shtet tjetër, ndërsa për të qëndruar në Kosovë u deklaruan 61 për qind e burrave dhe 62.5 për qind e grave.
