Lajme

Rrusta: Kurti po synon ta kapë Prokurorinë, ndërsa afrimi Osmani–Abdixhiku nuk sjell energji të re

Kandidatja e PSD-së për deputete, Teutë Rrusta ka kritikuar spektrin politik në Kosovë, duke vlerësuar se Kuvendi i Kosovës ka qenë i heshtur gjatë viteve të fundit dhe se debatet politike kanë munguar në thelb.

Sipas saj, Partia Socialdemokrate e ka përqendruar kritikën e saj si ndaj pushtetit ashtu edhe ndaj opozitës, duke theksuar se mungojnë përplasjet konceptuale dhe debatet për çështje thelbësore.

Rrusta ka shprehur shqetësim edhe për kryeministrin në detyrë Albin Kurti, për të cilin tha se është i rrezikshëm për shkak, siç u shpreh ajo, përpjekjeve për të ndikuar në sistemin e drejtësisë.

Ajo komentoi gjithashtu raportet ndërmjet ish-presidentes Vjosa Osmani dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke thënë se një afrim i mundshëm mes tyre nuk do të prodhonte efekt pozitiv elektoral.

“Mundem me thanë që 5-6 vitet e fundit, Kuvendi i Kosovës u kanë shumë i heshtur, ka pasur ndonjë konflikt, por më shumë u kanë i natyrës së nervozëve sesa konceptuale të vërteta thelbësore. Ne mendojmë që kritika jonë dhe beteja jonë është kundër partive si pushtetit dhe të opozitës…. Kurti është i rrezikshëm për shkakun se po donë me kap Prokurorin, rasti i bashkimit i Vjosa Osmanit me Lumir Abdixhikun është ai rasti kur dy bëjnë më pak se një, s’është bashkim që ta jep një energji dhe rritje masandej që prodhohet në votë, po është ajo që bashkimi bën më pak për shkak se njerëzit nuk janë naiv edhe njerëzit e kuptojnë që bashkimi i do forcave është për interes. As Vjosa Osmani as Lumir Abdixhiku nuk mundet me mashtrua…. po thua që është i rrezikshëm Kurti kur t’u rrezikua karrika e presidentes, nuk është i rrezikshëm pse ty s’po të bën presidente, kjo e sheh bashkëpunimin me Kurtin prapë. Tash a është ky i rrezikshëm a ti bashkëpunon me një person të rrezikshëm”, ka deklaruar Rrusta.

Ajo shtoi se qytetarët janë të vetëdijshëm për interesat politike që qëndrojnë pas aleancave dhe se këto lëvizje nuk përkthehen domosdoshmërish në mbështetje elektorale./teve1.info/

Të Ngjashme