Lajme

​Rrustemi: Binomi Osmani–Abdixhiku është bërë për karrierë personale të tyre

Rikthimi i Vjosa Osmanit në Lidhjen Demokratike të Kosovës nuk është parimor dhe po bëhet për interesa personale, thotë ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi.

Sipas tij, binomi Osmani–Lumir Abdixhiku nuk është i sinqertë, por krejtësisht një kalkulim i një nevoje individuale për të mbetur në një mënyrë ose tjetër në skenën politike. Madje, ai thekson se edhe bashkimi i disa ish-deputetëve të Guxo-s me Osmanin u bë për raporte personale e jo për ndershmëri dhe parimësi politike.

Rrustemi, në një intervistë për KosovaPress, thotë se Haxhi Avdyli, Jeta Statovci dhe të tjerët që u larguan nga koalicioni i LVV-së me Guxo-n, deri vonë kishin qenë ndër mbështetësit më të zëshëm të kryeministrit Albin Kurti dhe projektit të përbashkët qeverisës. Andaj, sipas tij, kjo lëvizje e tyre ka shumë pikëpyetje se për çfarë vlerash do të angazhohen.

“Nuk ka asgjë parimore në këto lëvizje, kjo është e vërteta, krejtësisht janë edhe raporte personale edhe kalkulime personale. Nuk ka as, le të themi, ndershmëri politike e as parimësi politike… Pikërisht disa prej figurave që kanë lëvizur kanë qenë figura të cilat me zë të lartë kanë vlerësuar lart Albin Kurtin si kryeministër reformator, projektin e përbashkët që kemi nisur në vitin 2021. Po zoti Avdyli, zonja Statovci, por që formalisht i takojnë një partie politike, kuptohet, por kanë qenë më të zëshmit do të thoja. Madje edhe më të zëshmit sesa vetë unë që jam prej vitesh aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, në raport me vlerësimin e Albin Kurtit, të profilit të tij politik, të vendosmërisë së tij, të pastërtisë së tij, të guximit të tij, të përkushtimit për interesat e shtetit të Kosovës, në luftën kundër korrupsionit, përballë Serbisë, shtrirjen e sovranitetit. Por prandaj ka shumë rëndësi edhe kur e thua, a e beson apo e ke instrumentale në raport me qytetarët… E kam fjalën që nuk kanë ndershmëri politike në kuptimin e përmbajtjes. Ato janë krejtësisht lëvizje individuale të ndikuara nga raporte personale”, thotë ai.

Ai shton se raporti politik mes Osmanit dhe Abdixhikut nuk mund të krahasohet me rrethanat politike të viteve të kaluara, kur Osmani ishte larguar nga LDK-ja në emër të kundërshtimit të qeverisjes së atëhershme.

“Në asnjë mënyrë nuk mund të jetë. As nuk janë rrethanat të njëjta, as nuk janë përkundër kujt, as nuk është platforma e ngjashme. Nuk është nevoja për distancim. Për çfarë? Zotëri Abdixhiku 13% ka pasur në rezultatet e fundit? Çfarë kapërcimi pret të ketë për të bërë një kësi përmbysje? Dhe në raport me çka? Cilat janë vlerat për të cilat angazhohesh? Ne në atë kohë kishim hyrë përkundër qeverisjes së keqe, korrupsionit, zhvatjes, nënshtrimit ndaj Serbisë dhe nevojës për progres. Cila është platforma e tyre? Është krejtësisht bashkim individual. Madje nuk është as reflektim i strukturave të vetë LDK-së në raport me këtë përafrim… Ky raport Abdixhiku–Osmani aspak nuk është i sinqertë. Është krejtësisht kalkulim i një nevoje individuale për të mbetur në një mënyrë ose tjetër në skenën politike”, shton Rrustemi.

Ai e akuzon liderin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, se ishte politikani që më së shumti kishte interes për mbajtjen e zgjedhjeve.

Sipas tij, Abdixhiku ishte jo i sinqertë në takimet me Kurtin për zgjedhjen e presidentit dhe po i mbante thjesht për kalkulime elektorale.

Rrustemi thotë se po të ishte serioz Abdixhiku për zgjedhjen e Vjosa Osmanit për presidente, do ta sfidonte LVV-në para datës 5 mars e jo pas kësaj date, kur u kuptua që LVV-ja nuk do ta kandidonte për presidente.

“Nuk ka individ në skenën tonë politike më shumë sesa zoti Abdixhiku që i ka dashur këto zgjedhje dhe që i është dashur dështimi i zgjedhjes së presidentit të Republikës dhe sidomos dështimi i zgjedhjes së zonjës Osmani. Ka mundur zoti Abdixhiku të na sfidojë para 5 marsit, të dalë me qëndrim të qartë dhe të thotë që ne e mbështesim dhe e votojmë zonjën Osmani. Ka pasur mundësi edhe pas 5 marsit t’i mbledhë 15 nënshkrime për zonjën Osmani dhe të na sjellë në tavolinë. Unë po them që do ta sfidonte realisht Lëvizjen Vetëvendosje dhe aty do të shihej se cili është qëndrimi”, thekson Rrustemi.

Sipas Rrustemit, zgjedhjet e ardhshme po përdoren si mekanizëm politik për ta larguar Kurtin nga pushteti, ani pse i njëjti po del i pari.

“Këto zgjedhje kanë një synim politik, për ta pamundësuar Albin Kurtin në krye të qeverisjes, ose ndryshe mund të thuhet për ta hequr qafe politikisht Albin Kurtin. Ndërkohë që kanë një funksion, karrierën politike të dy individëve, domethënë të zotit Abdixhiku dhe zonjës Osmani. Domethënë, ne po mbajmë zgjedhje për dy individë. Po shpenzojmë dhjetëra miliona euro, po humbim qindra miliona euro nga projekte të ndryshme me partnerët tanë ndërkombëtarë, për një palë zgjedhje për dy individë, për zotin Abdixhiku dhe zonjën Osmani. Prandaj unë jam i bindur që me këtë pozicionim të opozitës, me këtë plan të tyre, nuk ka pasur thjesht asnjë mundësi për ta zgjedhur presidentin”, përfundon ai. /E.Zeqiri/

Të Ngjashme