Njohësi i çështjeve politike, Arbnor Sadiku, ka deklaruar se situata aktuale politike në Kosovë po tregon shenja të qarta se vendi ndodhet në fazë përgatitore për zgjedhje të reja parlamentare.
Në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, Sadiku ka vlerësuar se komoditetin më të madh për të shkuar në zgjedhje e ka aktualisht Lëvizja Vetëvendosje.
Sipas tij, kryeministri Albin Kurti nuk e ka pritur rezultatin zgjedhor mbi 51 për qind dhe, siç tha ai, ka marrë përgjegjësi më të madhe sesa kishte parashikuar.
“Unë mendoj që as vetë Kurti nuk e ka pritur rezultatin që e mori në zgjedhje, mbi 51 për qind. Sigurisht ka pritur më pak dhe mendoj që ka marrë përgjegjësi më shumë sesa që ka besuar se do të duhej të merrte. Praktikisht e ka timonin e udhëheqjes në Kosovë dhe kjo i jep, në njërën anë, privilegje sepse e ka pushtetin në dorë, por në anën tjetër i jep edhe përgjegjësi të mëdha, veçanërisht për marrëveshjet me Serbinë. Mendoj që nuk i konvenon ta mbajë ‘pataten e nxehtë’ në dorë. Prandaj mendoj se deri diku Kurti dëshiron të shkojë në zgjedhje për ta reduktuar fuqinë e tij elektorale, sepse pas zgjedhjeve pastaj mund të kemi një bashkëqeverisje, si për qeverinë ashtu edhe për presidentin, dhe kjo mund të shpërndajë fuqinë varësisht nga orientimet që mund t’i ketë LVV-ja. Por, natyrisht, Parlamentin do ta ketë përsëri të saj, sepse mund të ketë numër të madh të deputetëve, dhe kjo i jep në çdo variant komoditet për të shkuar në zgjedhje të reja”, ka thënë ai.
Sa i përket opozitës, Sadiku ka vlerësuar se LDK-ja ka treguar hapje ndaj dialogut politik, ndërsa PDK-ja dhe AAK-ja, sipas tij, nuk e shohin veten si pjesë të ndonjë bashkëpunimi të mundshëm me Kurtin.
“Sa i përket opozitës, mendoj që kemi pasur njëfarë hapjeje të dialogut dhe pranim të tij nga LDK-ja, kurse PDK-ja dhe AAK-ja e kanë parë njëfarë loje dhe vetvetiu janë tërhequr nga loja dhe nuk e konsiderojnë veten se mund të jenë një kombinim me Kurtin në çfarëdo varianti, as para as pas zgjedhjeve. Aktualisht jemi në një situatë të tillë që vendi praktikisht është duke u përgatitur për zgjedhje të reja”, është shprehur Sadiku.
