Lajme

Sadiku: Vullneti i LVV-së ka qenë vetëm t’ia marrë elektoratin LDK-së

Deputeti i LDK-së, Ermal Sadiku, ka komentuar zhvillimet e fundit politike dhe raportet mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, duke folur për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet dy partive dhe për situatën aktuale politike.

Në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, Sadiku tha se, pavarësisht zhvillimeve të fundit, LDK-ja mbetet e përkushtuar për ruajtjen e institucioneve të vendit.

“E ka treguar Abdixhiku që është ndalur procesi dhe normalisht nuk ka vazhdimësi derisa t’i përfundojmë këto proceset e brendshme. Por LDK-ja i ka 18 deputetë, ndërsa Parlamenti i ka 120. Mbeten edhe 102 deputetë të tjerë që mund të gjejnë zgjidhje për çdo institucion, edhe për presidentin. Nuk dua t’ua heq përgjegjësinë as atyre 18 deputetëve, por nuk mund të mbetet faji mbi LDK-në. LDK-ja ka qenë gjithmonë dhe do të jetë parti që bën çmos për t’i ruajtur institucionet e shtetit”, ka deklaruar Sadiku.

Duke komentuar gatishmërinë e shprehur nga Lëvizja Vetëvendosje për bashkëpunim me LDK-në, Sadiku u shpreh skeptik për sinqeritetin e këtij vullneti.

“Vullnetin e LVV-së ndaj LDK-së e dimë. Vullneti i tyre është vetëm t’ia marrë elektoratin LDK-së. Kjo është treguar gjithmonë dhe nuk ka qenë reale. Nuk është detyrë e tyre ta mbrojnë LDK-në. Është e vetmja parti që na ka marrë elektorat dhe na ka dëmtuar politikisht”, ka thënë ai.

Sadiku shtoi se, sipas tij, pretendimet për bashkëpunim nuk janë të besueshme, duke iu referuar edhe deklaratave të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

“Ne i kemi kundërshtarë politikë edhe PDK-në, edhe AAK-në, por ato nuk na e kanë marrë elektoratin. Ndërsa LVV-ja, me këto që unë i quaj manipulime, ka synuar ta bëjë këtë. Në fund të fundit, edhe Albin Kurti ka thënë se nuk po ecën bashkëpunimi me LDK-në. Nëse më parë u deshën 50 ditë, tani nuk zgjati as pesë orë”, ka deklaruar Sadiku.

Të Ngjashme