Një muaj paraburgim i është caktuar V.R, i dyshuar për vrasjen e bashkëshortes dhe vëllait të saj, si dhe për plagosjen e dy personave të tjerë në fshatin Livoç i Ultë të Gjilanit.
Ngjarja tragjike ka ndodhur të premtën më 9 tetor rreth orës 14:21.
E se si ka ndodhur rasti i trishtë bëhet e ditur në dosjen e Gjykatës Themelore.
“Më datë 09.10.2026 rreth orës 14:21 minuta, në fshatin Livoç i Ultë, i pandehuri V. R., me dashje ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën N. B., vëllain e bashkëshortes së tij-tani të ndjerin E. B., ka lënduar rëndë të dëmtuarin M. B. dhe i ka rrezikuar jetën të dëmtuarit R. B., në atë mënyrë që, për shkak të një mosmarrëveshje për motive akoma të panjohura, i pandehuri fillimisht së bashku me të ndjerën shkon në fshatin Pozheran, Komuna Viti tek familja e të ndjerës, mirëpo kthehen menjëherë në drejtim të Gjilanit, ndërsa të dëmtuarit M. dhe R. B. me tani të ndjerin E. B. me veturën Pikap Opell Combo me targa 239-HM shkojnë pas tij me qëllim që të bisedojnë, në hyrje të fshatit Livoç i Ultë e tejkalojnë dhe ndalen ta presin, mirëpo i pandehuri me veturën Tiguan, ngjyrë e zezë me targa 06-767-HK vazhdon në drejtim të Gjilanit, gjatë së cilës kohe me armën e llojit Beretta, me nr. serik PX321722 përderisa ishte duke vozitur, shtie në distancë të afërt në drejtim të bashkëshortes së tij, tani të ndjerës N. e cila ishte e ulur përpara, në anën e djathtë të pasagjerit duke e privuar nga jeta, pastaj kthehet përsëri në një rrugë tjetër, në hyrje të fshatit Livoç dhe veturën e ndal pas veturës Pikap ku ishin të dëmtuarit dhe tani i ndjeri, të cilët dalin nga vetura, ndërsa i pandehuri me armën e llojit Bereta del nga vetura dhe ju thotë: “ unë jetën e humba se grujën e vrajta, edhe juve kam me ju vra” dhe përnjëherë shtie në drejtim të tyre ku i dëmtuari R. arrin të ikën, ndërsa të dëmtuarin M. e plagosë, mirëpo i njëjti arrin të ikë në një oborr të një shtëpie, mirëpo tani i ndjeri E. B. nuk arrin të ikë dhe të njëjtin e privon nga jeta në vendin e ngjarjes pasi shtie disa herë në drejtim të tij, me pas veturën e tij të markës Tiguan ku ishte e ndjera N. B. e dërgon në oborrin e spitalit rajonal të Gjilanit, para emergjencës dhe e lë aty, ndërsa vetë shkon dhe dorëzohet në polici”, thuhet në dosje.
