ShowBizzz

Sekreti pas bashkëpunimit të Dua Lipës me Donatella Versace: Dyshja ikonike zbulon çdo prapaskenë në një dokumentar

Kanë kaluar dy ditë që kur Donatella Versace prezantoi koleksionin e saj para vjeshtës në Kanë, një bashkëpunim me yllin e muzikës pop Dua Lipa të titulluar ‘La Vacanza’, dhe ne jemi ende duke menduar për kostumet rozë të prezantuara prej tyre, modelet e flokëve Barbie, lëkurat metalike me shkëlqim dhe zbukurimet prej kristali.

Tani, ne mund të shohim se si u realizua koleksioni, me një dokumentar të shkurtër që na zbulon procesin krijues të dyshes ikonike, nga takimi në Los Angeles për të shqyrtuar skicat, xhirimet e fushatës në Ibiza dhe kasti në Kanë para shfaqjes. Ajo që na shfaqet në mini-dokumentar është dëshmi e një miqësie të vërtetë mes stilistes italiane dhe këngëtares shqiptare.

“Amore!” -përshëndesin ato njëra-tjetrën ndërsa Versace mbërrin në set në Ibiza dhe troket në dhomën e zhveshjes së Duas. “Kam qenë gati të dal lakuriq për ty”, thotë këngëtarja e popit, duke qeshur, duke treguar kamerën. “Më vjen mirë që nuk e bëra.”-shton më pas. Duke diskutuar për këpucët në koleksion, të dyja flasin si në një shfaqje: “Dhe këpucët e sheshta?” -pyet Donatella në një moment. “Asnjë!”-përgjigjen të dyja njëzëri, duke qeshur.

Gjatë një konference për shtyp në mëngjesin e spektaklit, Versace tha: “Unë mund të vesh disa gjëra, por Dua mund të veshë gjithçka në koleksion.” Nëse kishte nevojë për ndonjë provë që Lipa ishte edhe krijuese edhe muzë, po ju themi se skicat e koleksionit të montuara në dërrasa gjatë takimit të tyre në Los Angeles kishin të gjitha pamjen e këngëtares. “Dua ka një mirëkuptim të mrekullueshëm për fansat dhe audiencën e saj të pabesueshme dhe atë që ata do të pëlqejnë”, tha Donatella. “Pjesa ime e preferuar është të punoj me dikë që e respektoj dhe admiroj vërtet dhe të argëtohem me kodet e Versace; duke i bërë ato të rëndësishme për këtë brez.”

Admirimi është i ndërsjellë, natyrisht. “Puna në këtë koleksion ishte një ëndërr, pikë!” –thotë Dua. “Nuk ka partnere më të mirë se Donatella. Ajo më mbështeti shumë gjatë gjithë këtij procesi dhe më dha besimin për të shprehur lirshëm idetë e mia, që nga fazat e hershme të skicimit deri në ekzekutimin e shfaqjes së fundit në pistë.”

Dua ka qenë prej kohësh një fanse e labelit dhe njohja e saj për gjithçka Versace ka të ngjarë të jetë një arsye tjetër pse ky ishte një bashkëpunim ëndërr për të. “Ka një fushatë të Versace të vitit 1993 me Naomi Campbell dhe Kristen McMenamy nga e cila u frymëzova për videoklipin tim për ‘New Rules’, zbulon ajo. “Në imazh, Kristen po mban Naomin në shpinë. Më pëlqeu ideja që këto dy gra legjendare të kujdesen për njëra-tjetrën ashtu, duke mbajtur njëra-tjetrën lart.” Fushata reklamuese është nga pranvera ’93, i njëjti sezon që shfaqi pika polka të theksuara bardh e zi, të cilat Dua dhe Donatella i kthyen në një nga printimet kryesore për La Vacanza, të ripërpunuara me printimin ikonik flutur të labelit.

E përdorur për herë të parë në koleksionin e pranverës 1995 të Gianni Versace, flutura është një motiv që ylli i popit e ka veshur gjatë gjithë këtyre viteve; e duket se ka gjithashtu një rëndësi të veçantë. Donatella ndau një histori prekëse. “Pasi vëllai im vdiq, në shfaqjen e parë të Versace-s pa të, ishte kjo flutura e bardhë. E dini, në Milano, në prapaskenë…ne nuk kemi marrë flutura. Fluturoi, fluturoi dhe fluturoi. Të gjithë menduam se ishte Gianni.” Ai do ta kishte dashur Dua Lipën.