Lajme

Sekuestrohen armë në Malishevë pas dyshimeve për të shtëna gjatë një ahengu familjar

Stacioni Policor në Malishevë, bazuar në informacionet e pranuara dhe mbi dyshimin e arsyeshëm se gjatë një ahengu familjar në fshatin Lladrovc-Malishevë janë përdorur armë zjarri, në koordinim dhe konsultim me prokurorin kompetent ka ndërmarrë veprime policore, operative dhe hetimore.

“Gjatë kontrollit në oborrin ku ishte organizuar ahengu, janë gjetur dhe sekuestruar 4 gëzhoja, si dëshmi materiale për rastin. Ndërkaq, në automjetet e parkuara në afërsi të vendit ku është organizuar ahengu, pronë e të dyshuarve, janë gjetur dhe sekuestruar: një armë e gjatë automatike e tipit AK-47 me një karikator, një armë e gjatë gjysmë automatike, si dhe një pistoletë me gaz me një karikator dhe 4 fishekë. Të gjitha këto janë sekuestruar si dëshmi materiale për rastin. Në lidhje me rastin, në cilësinë e të dyshuarve janë intervistuar katër persona meshkuj të moshës madhore, nën dyshimin se të njëjtit kanë përdorur armët e sekuestruara”, shkruhet në njoftimin e publikuar nga Policia e Kosovës.

Në konsultim me prokurorin e shtetit, është iniciuar rast “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorimi i armës apo i mjetit të rrezikshëm”, ndërsa rasti do të trajtohet më tej në procedurë të rregullt.

Të Ngjashme