Lajme

Sekuestrohen armë pas dyshimeve për të shtëna gjatë një ahengu familjar në Malishevë

Stacioni Policor në Malishevë, bazuar në informacionet e pranuara dhe mbi dyshimin e arsyeshëm se gjatë një ahengu familjar më datë 09.08.2026 në fshatin Lladrovc-Malishevë janë përdorur armë zjarri, në koordinim dhe konsultim me prokurorin kompetent ka ndërmarrë veprime policore, operative dhe hetimore.

Nga policia thonë se si rezultat, sot është realizuar kontroll në vendbanimin e personave të dyshuar.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se gjatë kontrollit në oborrin ku ishte organizuar ahengu, janë gjetur dhe sekuestruar 4 gëzhoja, si dëshmi materiale për rastin.

“Ndërkaq, në automjetet e parkuara në afërsi të vendit ku është organizuar ahengu, pronë e të dyshuarve, janë gjetur dhe sekuestruar: një armë e gjatë automatike e tipit AK-47 me një karikator, një armë e gjatë gjysmë automatike, si dhe një pistoletë me gaz me një karikator dhe 4 fishekë. Të gjitha këto janë sekuestruar si dëshmi materiale për rastin”, thuhet në njoftim.

Në lidhje me rastin, në cilësinë e të dyshuarve janë intervistuar katër persona meshkuj të moshës madhore, nën dyshimin se të njëjtit kanë përdorur armët e sekuestruara.

Në konsultim me prokurorin e shtetit, është iniciuar rast “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorimi i armës apo i mjetit të rrezikshëm”, ndërsa rasti do të trajtohet më tej në procedurë të rregullt.

Të Ngjashme