Serbia ka arrestuar një person nën dyshime për krime lufte ndaj popullatës civile në Kosovë më 1999, tha ministri serb i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq.
I arrestuari, ndaj të cilit është shqiptuar masa e paraburgimit prej një muaji, është identifikuar me inicialet D.M., 47 vjeç. Sipas Daçiqit, ai është arrestuar në pikën kufitare të Batrovcit.
“Ekzistojnë dyshime të bazuara se ai e ka kryer veprën penale kundër popullsisë civile, në dëm të anëtarëve të dy familjeve, gjatë qershorit të vitit 1999, në fshatin Bec, në komunën e Gjakovës”, tha Daçiq përmes një njoftimi.
Ndonëse Daçiq e identifikoi të arrestuarin vetëm me iniciale, një ditë më parë, avokati nga Kosova, Arianit Koci, njoftoi se autoritetet serbe kishin ndaluar Dugagjin Maxhunin nga Beci i Gjakovës, i moshës 47-vjeçare.
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Ministrisë për Punë të Jashtme dhe Diasporë me pyetje lidhur për këtë rast. Por, deri më tani nuk ka pranuar përgjigje.
Serbia ka arrestuar vazhdimisht shtetas të Kosovës nën pretendime për krime lufte në Kosovë më 1998-’99.
Radio Evropa e Lirë pyeti Organizatën e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nëse në listat e saj ekziston Dugagjin Maxhuni, por nga kjo organizatë thanë se ai është në listën e personave që gëzojnë statusin e veteranit.
Në Kosovë, po ashtu, viteve të fundit janë arrestuar dhjetëra serbë nën dyshime për krime lufte në Kosovë dhe disa raste kanë përfunduar me aktgjykime dënuese.
Ky është arrestimi i dytë gjatë gushtit që Serbia bën për krime të pretenduara të luftës në Kosovë. Më 2 gusht, një burrë u arrestua në kufirin mes Serbisë dhe Hungarisë.
Avokati Koci tha se bëhej fjalë për shtetasin e Kosovës, Mentor Mustafa, 44 vjeç nga Novobërda. Ndaj tij është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.
