Lajme

“Serbia po pret momentin gjeopolitik për presion të ri ndaj Kosovës”, Blakaj: Ja alternativa që i mbetet Kosovës

Aleksandër Vuçiç vazhdon me deklarata ndaj Kosovës, duke e mbajtur të ndezur retorikën politike dhe tensionet në rajon. Së fundi, ai ka komentuar edhe forcimin e kapaciteteve të sigurisë së Kosovës, duke e cilësuar situatën si sfidë për Serbinë.

Eksperti i sigurisë, Korab Blakaj, vlerëson se politika serbe ndaj Kosovës vazhdon të mbështetet në një strategji afatgjatë ndikimi politik, diplomatik dhe psikologjik.

Ai thotë se deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tregojnë se Beogradi nuk ka hequr dorë nga logjika historike për kontroll dhe ndikim mbi Kosovën, duke e parë këtë si vazhdimësi të narrativave të vjetra shtetërore serbe.

Politika serbe e ndikimit të vazhdueshëm

“Konflikti politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që dikur tentohej të interpretohej vetëm si një mosmarrëveshje bilaterale apo si një çështje teknike e dialogut është transformuar në një luftë të vazhdueshme ndikimi, ku mendësia historike, besimi fetar, instrumentet shtetërore, joshtetërore dhe hibride ndërthuren në kuadër të një strategjie afatgjatë.

Së fundi, deklaratat e Presidentit të Serbisë Aleksander Vuqiq, (ish Minister i Millosheviqit, i akuzuar gjithashtu për ngjarjet e njohura si Sarajevo Safari) , se „po presim një moment të favorshëm për veprim„ janë argumente të radhës, që jo vetëm nuk duan paqe, por vazhdojnë me këmbëngulje logjiken historike serbe të shprehur qysh në Deklaratën e Luftës Ballkanike kundër Perandorise Osmane 1912, ku ndër të tjera Mbreti Peter tha;“ pas 460 vitesh pritje- janë krijuar kushtet të kthehemi në Serbinë e Vjetër„ siç i referohej ai Kosovës. Në këtë kontekst, veprimet e institucioneve serbe dhe deklaratat e Aleksandar Vuqiq duhet të analizohen përtej komunikimit politik të brendshëm,pra edhe si pjesë e një narrative të qëndrueshme shtetërore që synon ruajtjen e ndikimit në territorin e Kosovës përmes formave të ndryshme të presionit – diplomatik, institucional dhe psikologjik”, thotë ai.

Qëllimet e Vuqiqit shumë të qarta

Më tej, Blakaj thotë se qëllimet e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, janë të qarta: ruajtja e tensioneve dhe ndikimit në veri të Kosovës përmes strategjive politike dhe strukturave joformale.

Sipas tij, raste si sulmi në Banjska kanë ngritur dyshime për mbështetje indirekte të grupeve të armatosura, ndërsa Serbia tenton të shmangë përgjegjësinë direkte.

“Retorika zyrtare serbe pasqyron qasje të dyfishtë: nga njëra anë shmanget përgjegjësia e drejtpërdrejtë për veprime të dhunshme apo destabilizuese, ndërsa nga ana tjetër krijohet hapësirë politike për aktorë të tjerë që operojnë në terren në mënyrë të tërthortë. Referencat publike që sugjerojnë se “pozita nuk e lejon veprimin e hapur” tregojnë se kufizimi nuk buron nga parimet, por nga kalkulimet politike të momentit dhe balanca ndërkombëtare.

Në këtë kuadër, strategjia e Serbisë karakterizohet si agresive, pasi ajo kombinon mjete shtetërore dhe joformale për të ruajtur një nivel të vazhdueshëm tensioni në veri të Kosovës, duke e bërë stabilitetin një proces të brishtë dhe të varur nga faktorë të jashtëm. Ngjarje si sulmi në Banjskë kanë forcuar perceptimin se në terren ekzistojnë struktura që tejkalojnë politikën konvencionale dhe hyjnë në sferën e organizimit të armatosur dhe paramilitar. Ky rast është konsideruar nga shumë analistë dhe institucione si dëshmi se Beogradi nuk heziton të mbështesë grupe që operojnë në mënyrë të tërthortë, duke tentuar të shmangë përgjegjësinë e drejtpërdrejtë politike dhe shtetërore”, vazhdon ai.

Në përfundin, ai vlerëson se tensionet Kosovë-Serbi mbeten të ngrira përkohësisht dhe se Serbia vazhdon të ndjekë me kujdes interesat e saj strategjike.

Ai thekson se veprimet e Kosovës në veri shihen nga Prishtina si shtrirje e sovranitetit, ndërsa nga Beogradi si provokim.

Sipas tij, Kosova duhet të fokusohet në stabilitet, forcim institucional dhe konsolidim të sigurisë përballë presioneve politike dhe propagandistike.

“Paralelisht, zhvillimet aktuale ndërkombëtare konsiderohen si faktor frenues për një përshkallëzim më të gjerë të situatës në Kosovë. Megjithatë, ekziston perceptimi se tensionet mbeten të ngrira përkohësisht dhe se momenti politik dhe gjeopolitik vazhdon të vlerësohet me kujdes nga Serbia në funksion të interesave të saj strategjike.

Veprimet e fundit institucionale të Kosovës në veri – përfshirë marrjen nën kontroll të infrastrukturës, si stacionet hekurudhore në zona si Zveqan dhe Leposaviq , nuk kanë si interpretohen ndryshe nga Prishtina veçse si shtrirje e sovranitetit shtetëror, ndërsa nga Beogradi si provokim politik. Ky dualitet perceptimesh e mban konfliktin në një cikël të vazhdueshëm reagimi dhe kundërreagimi.

Edhe Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka sulmuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti pasi institucionet e Kosovës morën nën kontroll stacionet hekurudhore në veri.

Si kundërpërgjigje, në tentim për te ndikuar vendimarrjen politike të Kosoves ai u bëri thirrje serbëve që të “rreshtohen nën një bajrak” dhe të mbështesin Listën Serbe në zgjedhjet e Qershorit!

Në thelb, sfida e Kosovës , qe dikur konsistonte vetëm në ruajtjen e rendit institucional, tani kërkon përballjen me një model të ndikimit të vazhdueshëm që operon në kufijtë ndërmjet politikës, sigurisë dhe propagandës. Kjo kërkon jo vetëm reagim institucional të brendshëm, por edhe një kuptim të thelluar të dinamikave rajonale dhe ndërkombëtare që e formësojnë këtë konflikt.

Alternativa e vetme e Kosovës është stabiliteti, që përbën një proces të vazhdueshëm mbrojtjeje dhe konsolidimi deri në balancë ushtarake përballë presioneve të shumëfishta dhe në ndryshim të vazhdueshëm” – përmbylli ai për “Bota sot”.

Të Ngjashme