Lajme

Serwer: Zgjedhjet e reja nuk janë zgjidhje

Me refuzimin e ankesave të palëve nga PZAP-i dhe pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, u hapet rruga krijimit të institucioneve të reja: konstituimit të Kuvendit, formimit të Qeverisë dhe zgjedhjes së presidentit të ri.

Për këtë çështje është shprehur optimist profesori dhe ish-diplomati amerikan, Daniel Serwer, i cili vlerëson se Kosova ka kaluar mjaft procese zgjedhore dhe se mbajtja e zgjedhjeve të reja do të ishte e panevojshme.

 “Keni kaluar një vit, një vit e gjysmë të vështirë. Shpresoj që tani gjërat të ecin më mirë. Askush nuk ka përfituar nga kriza e gjatë e fundit dhe nga tri palë zgjedhje. Shpresoj që nuk do të keni nevojë për zgjedhje të reja. Mua më duket se atë rrugë e keni provuar tashmë dhe nuk ka funksionuar. Tani mendoj se ajo që ju nevojitet është bashkëpunimi mes partive politike, veçanërisht për zgjedhjen e presidentit” ka thënë Serwer.

Sipas tij, Kosova ka disa sfida të rëndësishme përpara në muajt në vijim.

“Kosova gjithmonë përballet me sfidën e ruajtjes së sovranitetit dhe integritetit të saj territorial, sfidë të cilën duhet të jetë në gjendje ta përballojë vetë. Më pas, një detyrë madhore është arritja në pikën kur Forca e Sigurisë së Kosovës të jetë përgjegjësja kryesore për mbrojtjen e territorit. Gjithashtu, do të thosha se është shumë e rëndësishme që Kosova të anëtarësohet në NATO. Kjo nuk është diçka që duhet të ndodhë vetëm në një të ardhme të largët. Shpresoj që të realizohet së shpejti, sepse synimi është që Forca e Sigurisë së Kosovës të jetë plotësisht e përgatitur deri në vitin 2028, ndërsa anëtarësimi në NATO të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur pas kësaj”, ka shtuar Serwer.

I pyetur se çfarë do t’i këshillonte klasës politike në Kosovë, Serwer tha se ka shumë gjëra për të thënë, por se prioritet mbetet tejkalimi i situatës aktuale politike.

“Së pari, zgjedhja e presidentit dhe formimi i qeverisë sa më shpejt që të jetë e mundur janë shumë të rëndësishme. Edhe Amerika ka kaluar një periudhë të vështirë kohëve të fundit, por ne mund ta përballojmë këtë, ndërsa ju jo, sepse ne jemi një shtet me institucione të konsoliduara, ndërsa ju ende jo. Së dyti, do t’ju këshilloja të përgatiteni seriozisht për anëtarësimin në NATO dhe të bëni gjithçka që është e nevojshme për ta arritur këtë në vitet e ardhshme. Së treti, do t’ju këshilloja të bëni gjithçka që është e mundur për ta integruar popullsinë serbe në institucionet, si dhe në jetën shoqërore e kulturore të Kosovës. E kuptoj se ndonjëherë përdoret një gjuhë e ashpër ndaj serbëve në Kosovë, por mendoj se kjo është për të ardhur keq”, ka thënë ai.

Në fund, ai u bëri thirrje partive politike që të ulen në tryezë dhe, përmes bashkëpunimit, të gjejnë zgjidhje në të mirë të vendit, të shmangin zgjedhjet e reja dhe të punojnë për avancimin e Kosovës në rrugën euroatlantike.

Të Ngjashme