Lajme

Shiroka Pula viziton muzeun në Budapest ku ruhet koleksioni shqiptar

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka vizituar Muzeun Etnografik të Budapestit, ku ruhet edhe koleksioni shqiptar i Paolo Lazzës (Palokë Laca), i cili përbën një dëshmi të rëndësishme të trashëgimisë etnografike shqiptare.

Sipas njoftimit të Presidencës, vizita u zhvillua në kuadër të qëndrimit zyrtar të presidentes në Hungari, në ndërtesën e re të muzeut, të hapur në vitin 2022.

Gjatë vizitës, Shiroka Pula u njoh me koleksionet e muzeut dhe punën për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

Muzeu Etnografik i Budapestit, i themeluar në vitin 1872, ruan mbi 235 mijë objekte etnografike që përfaqësojnë kulturën tradicionale hungareze dhe atë të popujve nga e gjithë bota.

Duke folur për rëndësinë e artefakteve, presidentja theksoi se ruajtja e trashëgimisë kulturore është përgjegjësi e përbashkët.

“Artefaktet e këtij muzeu dëshmojnë historinë, identitetin dhe krijimtarinë e popujve ndër shekuj. Koleksione të tilla na ndihmojnë të njohim më mirë edhe vetveten, kulturën tonë dhe mjeshtëritë tradicionale që përbëjnë një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë sonë. Ruajtja e kësaj trashëgimie është përgjegjësi e përbashkët e njerëzimit”, ka thënë Shiroka Pula.

Sipas Presidencës, koleksioni shqiptar ka vlerë të veçantë për njohjen dhe studimin e historisë kulturore, traditave dhe mjeshtërive të shqiptarëve ndër breza.

Të Ngjashme