Lajme

Shkëmb Manaj nuk është më nënkryetar i Prishtinës, falënderon Abdixhikun e Ramën

Pak orë pasi u shkarkuar nga posti i nënkryetarit të Prishtinës, ka ardhur reagimi nga Shkëmb Manaj.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka falënderuar Abdixhikun dhe Ramën për besimin dhe bashkëpunimin gjatë kohës sa ishte nënkryetar i Prishtinës.

“Çdo angazhim, çdo vendim dhe çdo përballje që kam pasur direkt me qeverisjen qendrore, gjatë këtij mandati ka pasur një qëllim – mbrojtjen e interesit të qytetarëve të Prishtinës, besimi dhe mbështetja e të cilëve kanë qenë dhe mbetën forca që më shtynë përpara në çdo hap!”, ka shkruar Manaj në reagimin e tij, raporton IndeksOnline.

Reagimi i plotë:

Një mandat i plotë në shërbim të Prishtinës!

Si përfaqësues politik i LDK-së, gjatë këtij mandati i jam përkushtuar plotësisht Kryeqytetit – fillimisht si këshilltar politik i z. Rama dhe më pas si nënkryetar i Prishtinës – duke dhënë angazhimin tim maksimal në çdo përgjegjësi e vendim që ka ndikuar në zhvillimin e Kryeqytetit.

Shpreh mirënjohje të veçantë për Lidhjen Demokratike të Kosovës, strukturat tona në Prishtinë, kolegët dhe bashkëpunëtorët në Komunë, për kryetarin Lumir Abdixhiku për besimin dhe mbështetjen e vazhdueshme, si dhe për kryetarin Rama për bashkëpunimin gjatë këtij mandati qeverisës.

Një falënderim i madh shkon për qytetarët e Prishtinës.

Çdo angazhim, çdo vendim dhe çdo përballje që kam pasur direkt me qeverisjen qendrore, gjatë këtij mandati ka pasur një qëllim – mbrojtjen e interesit të qytetarëve të Prishtinës, besimi dhe mbështetja e të cilëve kanë qenë dhe mbetën forca që më shtynë përpara në çdo hap!

Për të gjithë ata që më njohin, unë kam lidhje të veçantë me LDK. Andaj, është e natyrshme që kush nuk ka raport të mirë me LDK, nuk mund të vazhdoj të ketë një raport të mirë as me mua si përfaqësues politik i saj.

Po e përmbyll këtë kapitull me ndjenjën e përmbushjes për angazhimin e plotë dhe kontributin e dhënë për Kryeqytetin, tani në një dimension më të gjerë, një fazë të re për LDK-në dhe për Kosovën.

Një LDK e bashkuar, nën vizionin e Kryetarit Lumir Abdixhiku dhe Presidentës znj. Vjosa Osmani, janë binomi i drejtimit të duhur për të tashmen dhe të ardhmen e vendit. Gjatë javëve të fundit, kam qenë  i angazhuar në përbashkimin e madh të LDK-së, një proces që do ta rikthejë atë fuqishëm si forcë kryesore politike në vend. Kjo është e domosdoshme tani për tani! Të tjerat rregullohen me kohë!

Falemnderit nga zemra!

I juaji,

Shkëmbi

Të Ngjashme