Shkencëtarët në Kinë kanë identifikuar një virus të panjohur më parë, që përcillet nga rriqrat dhe mund të shkaktojë simptoma të ngjashme me gripin, lodhje dhe probleme gastrointestinale. Zbulimi u publikua këtë javë në New England Journal of Medicine.
Virusi i ri, i quajtur Asian longhorned tick nairovirus (ALTNV), bën pjesë në grupin e orthonairoviruseve.
Ai është lidhur edhe me uljen e numrit të trombociteve në gjak (trombocitopeni) dhe me shenja laboratorike të dëmtimit ose inflamacionit të qelizave të mëlçisë.
Që nga viti 2009, studiuesit kinezë kanë ndjekur pacientë me sëmundje të pazakonta, përfshirë sindromën e ethes së rëndë me trombocitopeni (SFTS).
Dr. Sharon Nachman, shefe e sëmundjeve infektive pediatrike në Stony Brook Children’s Hospital në Nju Jork, shpjegoi për Fox News Digital se trombocitopenia shkaktonte gjakderdhje dhe kishte një vdekshmëri rreth 30%.Shumë raste ishin lidhur me virusin Dabie bandavirus (DBV), një ethe hemorragjike e përcjellë nga rriqrat, por ai nuk ishte virusi më i zakonshëm.
Pas testimeve të gjera të mostrave të gjakut, studiuesit nga State Key Laboratory of Pathogen and Biosecurity në Pekin identifikuan ALTNV-në, që është gjenetikisht i ndryshëm nga DBV.
Virusi u gjet te 10,4% e 3.163 pacientëve që ishin kafshuar nga rriqrat.
Pacientët e infektuar njëkohësisht me ALTNV dhe DBV kishin më shumë mundësi të zhvillonin probleme respiratore dhe komplikime të veshkave. Shtatë prej tyre (18,4%) vdiqën gjatë studimit.
Autorët e studimit theksojnë se qarkullimi i njëkohshëm i dy viruseve në të njëjtat zona dhe përdorimi i të njëjtit vektor (rriqra) kërkon diagnostikim diferencial më të mirë në rajonet ku SFTS është endemike.
