Shëndetësi

Shkon për ndërhyrje estetike, gruaja del nga spitali me gërshërë në bark, i kishte harrur kirurgu

Duhej të ishte një ndërhyrje estetike rutinë në Napoli, por për një 53 vjeçare është kthyer në makth të vërtetë.

Gruaja me banim në provincën e Piacenza-s, iu nënshtrua një operacioni për heqjen e dhjamit abdominal (abdominoplastikë) më 25 tetor 2025 në një klinikë në Napoli.

Pas daljes nga spitali, ajo u kthye në shtëpi, por shumë shpejt filloi të kishte dhimbje të forta në bark dhe episode humbjeje ndjenjash. E shqetësuar, telefonoi urgjencën 118, ku mjekët i rekomanduan shtrimin e menjëhershëm në spital.

Megjithatë, ajo vendosi të kontaktojë sërish kirurgun që e kishte operuar. Sipas denoncimit, mjeku i kishte konsideruar simptomat si pasoja normale pas operacionit dhe i kishte përshkruar analiza që zbuluan një infeksion, për të cilin iu dha edhe terapi me antibiotikë.

Por gjendja nuk u përmirësua. Mjeku i familjes urdhëroi një ekzaminim më të thelluar dhe më 7 maj u krye një skaner (TAC) në një qendër diagnostike në Napoli.

Ekzaminimi zbuloi praninë e një objekti metalik në bark: dyshohet se bëhej fjalë për një palë gërshërë kirurgjikale të harruara gjatë operacionit.

Situata u komplikua më tej pasi, sipas denoncimit, mjekja e qendrës diagnostike njoftoi drejtpërdrejt kirurgun në vend që ta dërgonte menjëherë pacienten në urgjencë. Më pas, mjeku i kishte propozuar një tjetër ndërhyrje për heqjen e gërshërëve në të njëjtën klinikë ku ishte bërë operacioni i parë.

Gruaja refuzoi dhe vendosi të trajtohej në një spital tjetër.

Ajo thotë gjithashtu se është kontaktuar disa herë nga bashkëshortja e kirurgut, e cila dyshohet se ka tentuar ta bindë të kthehej në klinikë private për ndërhyrjen, ndoshta për të shmangur pasoja ligjore për mjekun.

Në ditët në vijim, ajo do t’i nënshtrohet një operacioni për heqjen e gërshërëve nga barku./Tgcom/ 

Të Ngjashme