Shkurte Fejza ka ndarë një mesazh emocionues në rrjetet sociale pas takimit që zhvilloi në Shtetet e Bashkuara me ish-presidentin amerikan, Bill Clinton.
Këngëtarja e njohur shqiptare e cilësoi këtë takim si një moment të veçantë mirënjohjeje për rolin historik që Clinton pati për Kosovën në periudhën më të vështirë të popullit shqiptar.
Në postimin e saj, Fejza falënderoi gjithashtu shqiptarët e Amerikës për kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës ndër vite, duke i quajtur ata ‘zemra e gjallë e shqiptarizmës’.
Postimi i plotë i artistes (pa ndërhyrje):
“MIRENJOHJE NGA ZEMRA NE EMER TE POPULLIT TE KOSOVES
Në emrin tim dhe në emër të gjithë atyre që e bartin Kosovën në zemër, dje në Shtetet e Bashkuara pata nderin e veçantë të takoj Presidentin Bill Clinton.
Ky takim ishte më shumë se simbolik. Ishte një moment falënderimi dhe mirënjohjeje të thellë për gjithçka që Presidenti Clinton ka bërë për Kosovën, për vendimin historik, për guximin moral dhe për qëndrimin e palëkundur në anën e së drejtës, në ditët më të errëta të popullit tonë.
Pa atë angazhim vendimtar, liria jonë do të kishte një histori tjetër.
Një falënderim i veçantë shkon edhe për shqiptarët e Amerikës, shqiptaro-amerikanët, zemra e gjallë e shqiptarizmës, zëri ynë i palëkundur në kohë rreziku dhe shtylla e fuqishme e miqësisë së përhershme mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
Sepse liria e Kosovës mban edhe emrin e ndërgjegjes amerikane, dhe ky emër do të kujtohet përjetë me mirënjohje dhe nder.
Me respekt dhe përulësi,Shkurte Fejza
New York,17.06.2026”.
