Lajme

​Shpalosen 10 mite dhe fakte mbi Betejën e Kosovës në 637-vjetorin e saj

Me rastin e shënimit të 637-vjetorit të Betejës së Kosovës, profesori Mentor Hasani dhe studentët e Departamentit të Historisë në Universitetin e Prishtinës, organizuan një aktivitet para Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, ku u prezantua një ilustrim i veçantë me titull “Një Betejë, shumë pikëpyetje”.

Beteja e Kosovës është zhvilluar në verën e vitit 1389, qershor. (15 qershor sipas kalendarit Julian (i vjetër, që përdorej në Perandorinë Serbe dhe më vonë në Kishën Ortodokse) korrespondon me 28 qershor sipas kalendarit Gregorian (i ri, që përdoret sot ndërkombëtarisht).

Ajo përbën një nga përballjet më të njohura të Mesjetës Ballkanike dhe u zhvillua ndërmjet dy formacioneve të mëdha ushtarake të kohës: Perandorisë Osmane dhe një aleance të gjerë të popujve ballkanikë (arbërve, serbëve, hungarezëve, boshnjakëve, çekëve, bullgarëve, vllehëve etj). Pas kësaj beteje filloi procesi i zgjerimit dhe konsolidimit të mëtejshëm të Perandorisë Osmane në Ballkan.

Profesori Mentor Hasani u shpreh se përmes këtij aktiviteti duanë të paraqesin fakte dhe argumente historike për mënyrën se si historiografia, Kisha dhe politika serbe e kanë interpretuar dhe instrumentalizuar Betejën e Kosovës ndër vite.

“Sot, kur shënohet 637-vjetori i Betejës së Parë të Kosovës, përmes këtij ilustrimi po duam t’iu ofrojmë disa fakte dhe argumente se si historiografia serbe, Kisha Serbe në Kosovë dhe politika serbe kanë bërë përpjekje historikisht ta instrumentalizojnë këtë betejë, ta përvetësojnë dhe ta monopolizojnë duke ndërtuar një narrativë në opinionin publik dhe atë akademik se në këtë betejë kanë pasur ndikim ekskluzivisht serbët. Ne jemi këtu për të folur mbi bazën e fakteve dhe për të diskutuar 10 mitet dhe 10 faktet kryesore mbi Betejën e Kosovës, me synimin që në të ardhmen kjo çështje të trajtohet shkencërisht, larg miteve, politikës, ideologjisë dhe religjionit.”, ka shkruar ai.

Profesori Mentor Hasani tha se qëllimi i aktivitetit është që Beteja e Kosovës të trajtohet mbi bazën e burimeve historike dhe jo të interpretimeve politike.

“Po shpresojmë që brenda një viti të organizojmë edhe një konferencë shkencore, ku do të kemi mundësi të ballafaqohemi si studiues në mënyrë shkencore, larg miteve, larg gojëdhënave, larg politikës ideologjisë e religjionit, por mbi bazën e fakteve. I ftojmë të gjithë studiuesit që merren me fushën e mesjetës t’i ballafaqojnë idetë, mendimet dhe konceptet mbi këtë betejë.”, tha ai.

Ndërkaq, asistenti Dren Brahimaj përmendi disa nga faktet që janë ndërtuar rreth Betejës së Kosovës.

“Koalicioni ballkanik nuk ishte homogjen as në aspektin politik dhe as në atë fetar. Formacionet serbe i përkisnin besimit të krishterë ortodoks, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për të gjithë pjesëmarrësit. Për shembull, Balshajt ishin të ritit katolik, ndërsa boshnjakët e Bosnjës përfaqësonte një traditë tjetër politike e fetare. Kjo dëshmon se koalicioni ballkanik kishte karakter të përzier dhe shumë etnik. Nga pikëpamja historike, Perandoria Osmane në këtë betejë udhëhiqej nga Sulltan Murati I, ndërsa koalicioni ballkanik përbëhej nga një numër sundimtarësh lokalë, ndër të cilët përveç princit serb Llazar, spikat Teodor Muzaka. Burimet historike dëshmojnë gjithashtu për pjesëmarrjen e fisnikërisë arbërore. Kronika e Gjon Muzakës përmend se në këtë betejë ra edhe Teodor II Muzaka, një nga fisnikët më të njohur shqiptarë të kohës”, ka thënë ai.

Profesori Mentor Hasani shtoi se përpjekjet për ta shndërruar Betejën e Kosovës në një simbol kombëtar filluan qysh në vitin 1889. Në atë kohë u synua organizimi i aktiviteteve përkujtimore, por dokumentet zyrtare osmane tregojnë se autoritetet e Perandorisë Osmane nuk e lejuan realizimin e tyre në formën e planifikuar. Në formën e tij moderne, miti u konsolidua gjatë shekullit XIX, sidomos përmes veprës “Kunora e Maleve” të Petar II Petroviq-Njegoshit.

Sipas tij, në vitin 1889, me rastin e 500-vjetorit të betejës, në Serbi nisi përpjekja për ta lidhur kujtesën e saj me Vidovdanin, një festë që u identifikua me tradita shumë më të hershme sllave. Kështu, Beteja e Kosovës u shndërrua gradualisht nga një ngjarje historike mesjetare në një nga mitet më të fuqishme politike të Ballkanit modern. Interpretimi i kësaj beteje si një simbol kombëtar serb u bë themeli i asaj që më vonë do të njihej si “Miti i Kosovës”, një narrativë që paraqet serbët si një popull me mision të veçantë historik. Një rol të rëndësishëm në konsolidimin e këtij miti luajti edhe tradita folklorike, veçanërisht rrëfimi i njohur si “Darka e Lazarit”, i ndërtuar sipas modelit të Darkës së Fundit të Krishtit.

Miti se beteja ishte vetëm serbe – Historiografia tradicionale serbe e ka paraqitur Betejën e Kosovës si një përballje ekskluzivisht serbe kundër osmanëve. Megjithatë, kronikat dhe burimet historike dëshmojnë se në koalicionin ballkanik morën pjesë serbë, arbër, boshnjakë, hungarezë, vllehë, çekë dhe grupe të tjera. Prandaj, beteja nuk ishte një luftë vetëm e serbëve, por një përpjekje e përbashkët e disa sundimtarëve ballkanikë për t’i bërë ballë zgjerimit osman.

Miti se koalicioni ishte një bashkim vetëm i botës ortodokse – Shpesh është pretenduar se beteja ishte një përballje e botës ortodokse kundër osmanëve. Në të vërtetë, koalicioni përbëhej nga sundimtarë dhe formacione të riteve të ndryshme të krishtera. Përveç princërve ortodoksë serbë, pjesë e tij ishin edhe princër arbërorë (shqiptarë) katolikë e ortodoksë, si Todor Muzaka, gjë që dëshmon karakterin e larmishëm politik dhe fetar të aleancës. Për më tepër, mitet, nuk mund të zhbëjnë faktin se shqiptarët ishin pjesë përbërëse e të gjitha zhvillimeve, pa çka se territori kishte princër serb, popullsia ishte arbërore – shqiptare.

Të Ngjashme