Shkencë & Teknologji

Marrëveshja për akuzat mbi varësinë e fëmijëve nga rrjetet sociale i kushton shtrenjtë Zuckerberg

Meta ka rënë dakord të paguajë deri në 17 miliardë dollarë për të zgjidhur çështjen gjyqësore për të cilën kompania akuzohet se i ka bërë qëllimisht platformat e saj sociale të varësisë për fëmijët.

Pronari i Facebook dhe Instagram ka pranuar të mërkurën të mbyllë me marrëveshje padinë e ngritur nga 29 shtete amerikane, të cilat e akuzonin kompaninë se kishte dëmtuar fëmijët për vite me radhë, ndërsa kishte fshehur të vërtetën për rreziqet e përdorimit të rrjeteve sociale.

Pretendimet ndaj kompanisë së themeluar nga Mark Zuckerberg në vitin 2004 janë cilësuar nga disa ekspertë si “momenti i duhanit të madh” për rrjetet sociale, duke e krahasuar çështjen me mënyrën se si kompanitë e duhanit u përballën me akuzat për fshehjen e rreziqeve të produkteve të tyre.

Shtetet amerikane kishin argumentuar se Meta “shfrytëzoi mënyrën se si funksionon truri i fëmijëve”, me qëllim që t’i mbante ata sa më gjatë të lidhur me platformat e saj.

Avokatët e shteteve i thanë gjykatës se modeli i biznesit të Metës ishte që fillimisht “t’i bënte përdoruesit të varur” nga platformat dhe më pas “të fshihte të vërtetën” për dëmet që mund të shkaktonin aplikacionet e saj.

Meta kishte paralajmëruar se dëmet financiare në këtë çështje mund të arrinin deri në 1.4 trilion dollarë, një shumë që do të ishte pothuajse sa e gjithë vlera e kompanisë në treg.

Ndërkohë, shtetet amerikane kishin kërkuar rreth 200 miliardë dollarë dëmshpërblim.

Marrëveshja bën që Mark Zuckerberg të mos ketë nevojë të dëshmojë në gjykatë, duke shmangur kështu një paraqitje të mundshme të sikletshme për drejtuesin e Facebook.

Lajmi për marrëveshjen ndikoi menjëherë edhe në tregjet financiare.

Aksionet e Metës u rritën me 4.7% pas njoftimit.

Të Ngjashme