Një shpërthim ka ndodhur mesditën e sotme në një pikë karburanti në Lagjen Nr. 1 të Sarandës, duke lënë të plagosur rëndë një punonjës.
Sipas informacionit të Sektorit të MZSH-së Sarandë, shërbimi zjarrfikës pas mbërritjes në vendngjarje, konstatuan se zjarri ishte fikur nga punonjësit e pikës së karburantit. Nga të dhënat paraprake, një punonjës po kryente punime me një mjet prerës në ambientet e brendshme të depozitave të karburantit. Shkëndijat e krijuara nga mjeti dyshohet se kanë ndezur avujt e karburantit, duke shkaktuar shpërthimin e pjesës së avullit jashtë depozitave.
Si pasojë e shpërthimit është plagosur F.Pema, 39 vjeç, i cili ndodhej duke punuar brenda depos. Sipas informacionit paraprak, gjendja e tij shëndetësore raportohet e rëndë.
Nga shpërthimi nuk janë raportuar dëme të tjera materiale. Autoritetet po hetojnë rrethanat e plota të ngjarjes.
