Lajme

Shtohen vjedhjet nga të huajt/ Indiani hyn për të grabitur banesën në Tiranë, policia e arreston në majë të çatisë

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në zonën e Kombinatit, ku efektivë të komisariatit Nr.6, kanë arrestuar një 31-vjeçar nga India në majën e çatisë së shtëpisë të shtetasit me inicialet E.P.

Indiani me emrin Manpreet Nanak Chand Manpreet, në mes të natës kishte hipur në majë të çatisë së E.P, me shpresën për të hyrë brenda banesës, përmes një dritareje të vogël të çatisë dhe vjedhur sende me vlerë në banesë.

Një ditë më parë 31-vjeçari Indian, ka dalë para gjykatës së Tiranës, ku pas kërkesës së prokurorit, Petrit Vukaj, gjykata e kryeqytetit, ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg”, pasi ndaj tij tashmë është ngritur akuza e “Vjedhjes” së mbetur në tentativë.

Kjo masë sigurimi është aplikuar për shkak se në rastin konkret ekziston rreziku i ikjes nga Shqipëria e këtij shtetasi të huaj. Vetë i arrestuari nuk ka pranuar të flasë në gjykatë, duke pretenduar se do dëshmonte në një moment të mëvonshëm.

Gazetari Elton Qyno, ka mësuar se silueta e këtij personi indian, në majën e çatisë, fillimisht është konstatuar nga vetë pronari i shtëpisë në orën 23:48 të datës 22 gusht 2026.

Ndërkohë indiani, Manpreet Nanak Chand Manpreet, është arrestuar nga oficerët e policisë kriminale të Komisariatit Nr.6 në orën 01:10 të natës të datës 23 Gusht.

Gjatë arrestimit, policia konstatoi se ky shtetas dy ditë para se të hipte në çatinë e banesës së E.P, ishte shoqëruar në ambientet e komisariatit, pasi ishte konfliktuar me një qytetar, të cilit i kishte thyer xhamin e makinës.

Për këtë konflikt ai është liruar për tu hetuar në gjendje të lirë. Por dy ditë më pas, Manpreet, ka hipur në majën e çatisë së banesës në rrugën “Veli Vraniqi” në Tiranë me shpresën për të vjedhur sende me vlerë.

Pronari i banesës, shtetasi me inicialet E.P, ka treguar se ka qënë në gjumë kur në një moment ka dëgjuar një zhurmë që vinte nga jashtë në drejtim të anës perëndimore e shtëpisë. Kur ka dalë jashtë shtëpisë, ka parë mbi çati një person i cili ishte esmer, flokë ngjyrë të zezë, i dobët dhe me gjatësi rreth 170 cm, i moshës rreth 30 vjeç.

Sipas pronarit të shtëpisë, ky person qëndronte në majë të çatisë, por nuk ka arritur të hyjë brenda, pasi ai e ka kapur pa depërtuar brenda.

Më tej qytetari ka njoftuar policinë, ku një patrullë e komisariatit Nr.6 në Tiranë, ka shkuar në vendgjarje duke detyruar shtetasin Indian të zbresë nga çatia dhe më pas ta arrestojnë atë në orët e mesnatës së 23 Gushtit 2026.

Kohët e fundit në Tiranë, ka një tendencë të shtuar të krimeve nga shtetas të huaj, duke sjellë mjaft vështirësi në identifikimin e tyre, sigurimin e përkthyesve ligjorë dhe akomodimin në rastet kur gjykata vendos masën e “Arrestit të detyruar shtëpiak”. /Syri.net

Të Ngjashme