Kryetari i Partisë Demokratike Popullore (DNP), Millan Knezheviç, ka paralajmëruar sërish fillimin e një inciative për të “anuluar” njohjen e pavarësisë së Kosovës në Malin e Zi, duke nisur nga niveli lokal, për të kaluar pastaj edhe në nivelin qendror.
Partia DNP është parti proserbe e proruse.
Sipas kreut të DNP-së, i cili deri vonë ka qenë partner brenda koalicionit qeverisës në Mal të Zi, procesi do të nisë më 12 maj, kur Kuvendi Komunal i Zetës, e cila fitoi statusin e komunës në vitin 2022, pritet të miratojë vendimin për “çnjohjen” e Kosovës.
Udhëheqja në Zetë ka tentuar disa herë të kalojë rezoluta dhe deklarata për “çnjohjen” e Kosovës, ndonëse pa fuqi juridike mbi politikën e jashtme zyrtare të Malit të Zi.
Knezheviçi shprehu pritje që vendimin e Komunës së Zetës ta ndjekin edhe komunat e tjera malazeze ku popullsia serbe përbën shumicën, pa lënë mënjanë Podgoricën.
Ai njoftoi gjithashtu se do të dërgojë në Parlamentin e Malit të Zi një deklaratë zyrtare, përmes së cilës do të kërkojë që ekzekutivi malazez të tërheqë njohjen e Kosovës.
Ndryshe, në Mal të Zi ende vazhdon debati mes forcave që mbështesin kursin euro-atlantik të vendit dhe atyre që kërkojnë lidhje më të ngushta me Serbinë dhe Rusinë.
Mali i Zi e ka njohur Kosovën më 9 tetor të vitit 2008.
