Sot në shumë vende të botës shënohet Dita Botërore e Gomarit, një ditë ndërgjegjësimi dhe vlerësimi për kafshën që për mijëra vite ka qenë një nga ndihmësit më të rëndësishëm të njeriut.
Kjo ditë u promovua për herë të parë në vitin 2018 nga studiuesi dhe aktivisti Raziq Ark, me synimin për të tërhequr vëmendjen ndaj rolit historik të gomarit dhe kushteve në të cilat kjo kafshë jeton e përdoret në shumë pjesë të botës.
I njohur për qëndrueshmërinë dhe forcën e tij, gomari ka shoqëruar njeriun që nga qytetërimet e lashta, duke transportuar mallra, njerëz dhe duke ndihmuar në punët bujqësore e tregtare. Historianët besojnë se ai është zbutur rreth 6 mijë vjet më parë dhe ka qenë ndër kafshët e para të përdorura për transport.
Megjithëse shpesh është bërë pjesë e stereotipeve dhe fabulave popullore si simbol i kokëfortësisë, studiuesit theksojnë se gomari është një kafshë inteligjente dhe shumë e kujdesshme. Refuzimi për të ecur në situata të caktuara lidhet më tepër me instinktin e mbrojtjes sesa me mungesën e bindjes.
Një tjetër tipar dallues janë veshët e gjatë, të cilët ndihmojnë në rregullimin e temperaturës së trupit dhe në perceptimin e tingujve në distanca të largëta, veçanërisht në zona të thata dhe të nxehta.
Organizatat për mbrojtjen e kafshëve e përdorin këtë ditë për të kërkuar më shumë kujdes ndaj gomerëve, të cilët në shumë vende vijojnë të përdoren për punë të rënda në transport dhe bujqësi.
Dita Botërore e Gomarit konsiderohet sot si një homazh për një kafshë që ka mbajtur për shekuj barrën e jetës së përditshme njerëzore, shpesh në heshtje dhe larg vëmendjes.
