Brenda tri vjetësh planifikohet të përfundojë Sistemi Informativ Shëndetësor (SISh), kështu tha ministri në detyrë i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu.
Jagxhiu këto komente i bëri pas lansimit në Klinikën e Gjinekologjisë të shërbimit të ri digjital për ngjarjen jetësore: lindja e fëmijës”, ku tha se me mbështetjen e KOMPAS-it, financuar nga Banka Botërore, do të ndërtohen 14 komponente të SISH-it.
Jagxhiu:Brenda tri vjetësh do të kemi ekosistemin e informacionit shëndetësor
“Ne së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë, me mbështetje të projektit KOMPAS, të financuar nga Banka Botërore, që u ratifikua në Kuvend para rreth dy muajve, jemi në proces të ndërtimit të 14 komponentëve ose shtyllave të ekosistemit të informacionit shëndetësor, që brenda tre viteve do të përfundohet dhe do të bëjë një ndryshim rrënjësor në mënyrën se si ofrohen shërbimet shëndetësore”, tha ai.
Kurse, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia deklaroi se SISH nuk guxon të përfundojë shkel e shko, prandaj, siç u shpreh ai, është bërë një analizë për përfundimin e tij.
Vitia: SISH nuk guxon të përfundojë shkel e shko
“Asnjë proces i tillë siç është Sistemi Informativ Shëndetësor dhe ka impakt të jashtëzakonshëm në reformat shëndetësore nuk guxojmë t’i hyjmë me idenë që të mbarojmë sa më shpejt shkel e shko, sepse e kemi marrë mësimet nga e kaluara dhe për këtë arsye me ministrin e Administratës Publike dhe Digjitalizimit kemi bërë një analizë të thuktë ku secili hap përfshihet kur, qysh dhe si do të bëhet”, tha ai.
Për sa i përket Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Vitia tha se kanë marrë masa që ky sistem të organizohet mirë dhe të mos dështojë.
Vitia: Kemi marr masa që ky sistem të bëhet mirë
“Ligji i ri për sigurimet shëndetësore, për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor, është një lajm i jashtëzakonshëm. Me ligjin e ri mundësohen edhe kontraktimet me institucione të ndryshme, përfshirë edhe barnatoret. Pse po i përmendi barnatoret? Një pjesë e madhe e qytetarëve, të cilët sot shpenzojnë për trajtimin e tyre, janë barnat jashtëspitalore. Dhe në këtë drejtim do të kemi mundësi menjëherë që pas kontraktimit me barnatoret të mundësohet edhe rimbursimi i barnave jashtëspitalore, që do të ketë një efekt direkt në xhepin e qytetarëve…21;05 Ne nuk e kemi as luksin e as nuk do të lejojmë të dështojmë, prandaj kemi marrë të gjitha masat se pavarësisht nëse do të ketë një shtyrje disa javore ose mujore nga ajo që ne e kemi planifikuar ky sistem të bëhet mirë dhe njëherë e mirë në Kosovë në mënyrë graduale, të sigurt të kemi një SISH..po edhe ndërtimin e funksionalizimin e fondit të sigurimit të detyrueshëm shëndetësor”, tha Vitia.
Ndërsa, në lidhje me ndërtimin e Spitalit të Prishtinës, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia kërkoi më shumë koordinim me zyrtarët komunalë, përfshirë edhe ata të QKUK-së.
