Reperja Sexyy Red ka ngritur padi duke pretenduar se gjatë një feste për ditëlindjen e nënës së saj në Florida është vjedhur pasuri me vlerë rreth 500,000 dollarë në çanta luksoze dhe bizhuteri.
Sipas padisë së siguruar nga TMZ, ajo kishte organizuar në janar 2025 një festë në një vilë të marrë me qira në Florida, transmeton Indeksonline.
Aty kishte punësuar një ekip sigurie për të ruajtur pronën gjatë festës. Megjithatë, më 12 janar, një person i maskuar dyshohet se ka hyrë në shtëpi përmes një dere të lënë hapur dhe ka kryer vjedhjen.
Ajo pretendon se janë vjedhur shumë sende me vlerë si gjerdanë, unaza, byzylykë, ora dhe çanta dizajneri, me një total jo më pak se 500 mijë dollarë. Policia ka nisur hetimet dhe ka konstatuar se një derë ka mbetur e hapur.
Sexyy Red fajëson ekipin e saj të sigurisë, të udhëhequr nga Carl Thompson, duke thënë se ai ishte personi i fundit që u largua nga vendi para grabitjes.
Nga ana tjetër, Carl Thompson kishte ngritur më herët një padi ndaj saj, duke pretenduar se nuk ishte paguar plotësisht për shërbimet e tij si truprojë personale. Ai kërkonte pagesën e mbetur, ndërsa ajo thotë se e ka paguar plotësisht dhe tani e kundërpadit duke e fajësuar për incidentin.
Çështja ligjore është ende në proces.
