Lajme

Sllovakia e Greqia, si vende mike të Ballkanit, e “duan” edhe Kosovën në BE

Shtatë shtete anëtare të Bashkimit Evropian, ku bëjnë pjesë edhe “mosnjohëset” e Kosovës, Greqia e Sllovakia, shprehën mbështetje, të martën, për vendet e Ballkanit Perëndimor në procesin e tyre të anëtarësimit në BE të martën, gjatë një takimi të Grupit të Miqve të Ballkanit Perëndimor në Bratislavë.

Nikoqiri i takimit, kryediplomati sllovak Juraj Blanar tha se tashmë është koha për të “prodhuar” disa rezultate konkrete nga procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian për të përfshirë vendet e Ballkanit Perëndimor

“Ne besojmë se vende si Mali i Zi dhe Shqipëria mund të shërbejnë si shembull pozitiv për të gjithë popujt e Ballkanit Perëndimor, duke dëshmuar se ky synim mund të arrihet pas shumë vitesh negociatash”, tha ai, raporton AP, transmeton KosovaPress.

Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, tha se siguria evropiane është e lidhur ngushtë me stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

“Nëse nuk e integrojmë fqinjësinë tonë në Bashkimin Evropian në këtë situatë, po ta quaj, të çmendur gjeopolitike, ku për herë të parë kemi forca të jashtme destabilizuese që do të dëshironin të na shihnin të dështojmë në procesin e anëtarësimit, ato mund të ndërhyjnë dhe më pas t’i përdorin ato vende kundër nesh, ashtu siç po bën, për shembull, Rusia në Bjellorusi, duke i përdorur migrantët si armë kundër BE-së”, tha Kos.

Grupi i Miqve të Ballkanit Perëndimor përfshin Austrinë, Kroacinë, Greqinë, Çekinë, Sllovakinë, Italinë dhe Slloveninë.

Në takimin në Bratislavë morën pjesë gjithashtu përfaqësues të Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Kosovës. 

Të Ngjashme