Sllovenia, Spanja dhe Irlanda nuk do ta transmetojnë Eurovisionin, duke vazhduar bojkotin ndaj garës muzikore për shkak të lejimit të pjesëmarrjes së Izraelit.
Shikuesit sllovenë, në vend të Eurovisionit, do të kenë mundësi të ndjekin filma, dokumentarë dhe programe të tjera nën temën “Zërat e Palestinës”.
“Kemi një javë të tërë me përmbajtje dhe po transmetojmë aktivistë izraelitë që luftojnë për të drejtat e palestinezëve”, ka deklaruar Natalija Gorscak, kryetare e bordit drejtues të Radiotelevizionit të Sllovenisë.
Ajo shtoi se vendimi për të mos marrë pjesë dhe për të mos e transmetuar Eurovisionin nuk është mesazh kundër hebrenjve, por kundër shtetit të Netanyahut dhe politikave që ai po ndjek.
Edhe transmetuesi kombëtar spanjoll RTVE ka konfirmuar se nuk do ta transmetojë, njëjtë sikurse edhe transmetuesi publik irlandez RTE.
Irlandezët do të transmetojnë të shtunën mbrëma një episod të serialit humoristik “Father Ted”, i cili ndjek historinë e dy priftërinjve irlandezë që përpiqen të shkruajnë një këngë për ta përfaqësuar Irlandën në Eurovision.
Ndërkohë, edhe Holanda dhe Islanda janë tërhequr nga Eurovisioni i këtij viti për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit.
Gjysmëfinalja e parë do të mbahet sonte në Vjenë, ndërsa gjysmëfinalja e dytë është planifikuar për 14 maj dhe finalja e madhe për 16 maj.
