Lajme

Sorensen: Në Bruksel u diskutua plani i punës për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi

Emisari i Bashkimi Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka njoftuar se gjatë kësaj jave ka zhvilluar takime të ndara në Bruksel me kryenegociatorin e Kosovës, Agron Bajrami, dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviq.

Sipas Sorensenit, takimet kanë qenë të hollësishme dhe janë fokusuar në përcaktimin e planit të punës për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në muajt e ardhshëm.

“Këtë javë, mbajtëm takime të ndara dhe të detajuara me dy kryenegociatorët në Bruksel për ta përcaktuar planin tonë të punës për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë për muajt e ardhshëm”, ka shkruar ai në platformën X.

Dialogu ndërmjet Kosova dhe Serbisë ka mbetur i bllokuar prej muajsh, pa takime në nivel të kryenegociatorëve apo në nivel të lartë politik.

Ndërkohë, Kaja Kallas ka deklaruar së fundi se takimet e nivelit të lartë janë shtyrë për shkak të proceseve të shpeshta zgjedhore në Kosovë.

Të Ngjashme