Saim Tahiraj ka reaguar pas mospjesëmarrjes së deputetëve të LDK-së në votimin e ndryshimeve të Ligjit për Gjykatën Speciale, duke e cilësuar këtë qëndrim si të përputhshëm me qëndrimet e anëtarësisë së partisë.
Tahiraj ka thënë se për shumë familje që kanë humbur të afërmit e tyre për motive politike, Gjykata Speciale në Hagë mbetet shpresë për vendosjen e drejtësisë, ndërsa ka kërkuar që LDK-ja të ruajë bashkëpunimin me SHBA-në dhe vendet e Evropës Perëndimore, përcjell “Bota sot”.
Reagimi i plotë
Sot, LDK-ja foli me gjuhën e anëtarësisë së saj; ishte zëri i vërtetë i tyre.
Shumë familje, bijtë dhe bijat e të cilave u vranë për motive politike, të vetmen shpresë për vendosjen e drejtësisë e kanë te Gjykata Speciale në Hagë.
Mosvotimi i deputetëve të LDK-së për ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale është i duhuri, në përputhje të plotë me qëndrimet e anëtarësisë së saj të gjerë.
Ky vendim është përmirësim i gabimit që bënë deputetët e LDK-së me votimin e rezolutës kundër vendimit të Gjykatës Speciale, me të cilin u dënuan katër të pandehurit.
Deputetët e LDK-së duhet të jenë çdo herë zëri i vërtetë i anëtarësisë së saj, të mbrojnë interesat shtetërore dhe të vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë me miqtë tanë ndërkombëtarë: SHBA-në dhe Evropën Perëndimore.
