Kuriozitete

Përfituan rreth 5 mln euro përmes mashtrimit me Call Center, Apeli i GJKKO lë në fuqi dënimin me mbi 100 vite burg për grupin e Bruno Çobos

Apeli i Gjykatës së Posaçme ka lënë në fuqi dënimet e dhëna për 16 të pandehurit, pjesë e grupit të drejtuar nga Bruno Çobo, të akuzuar për një skemë mashtrimi përmes Call Center-ave, ku viktima ishin qytetarë europianë.

Në total, 16 të pandehurit janë dënuar me më shumë se 100 vite burgim, ndërsa sipas hetimeve, grupi dyshohet se ka përvetësuar rreth 5 milionë euro përmes skemave të mashtrimit.

Sipas dosjes së çështjes, personat kontaktonin qytetarë në vende të ndryshme të Europës përmes telefonit dhe u ofronin mundësinë për të investuar online në aksionet e kompanisë “Amazon”. Viktimave u premtoheshin fitime të mëdha dhe të shpejta, por në realitet bëhej fjalë për një skemë mashtruese.

Qytetarët bindeshin të transferonin shuma parash, të cilat më pas përfundonin në duart e organizatorëve të skemës.

Hetimi për skemën e mashtrimit nisi nga autoritetet italiane në shtator të vitit 2020, pas kallëzimit të një shtetasi italian, i cili kishte rënë pre e skemës, duke investuar 700 mijë euro.

Të Ngjashme