Lajme

Sot kufizime në autoudhët e Kosovës për kamionët mbi 20 tonë

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se sot do të zbatohen kufizime të përkohshme të qarkullimit për automjetet e transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë në autoudhët e Kosovës, për shkak të temperaturave të larta.

Sipas njoftimit të ministrisë, kufizimi do të jetë në fuqi nga ora 11:00 deri në 17:30, pasi temperaturat e parashikuara për ditën e sotme arrijnë ose tejkalojnë 32 gradë Celsius, prag që aktivizon masën mbrojtëse për infrastrukturën rrugore.

Ministria bën të ditur se kufizimi vlen vetëm në autoudhë, ndërsa në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse, qarkullimi i automjeteve të rënda do të lejohet pa kufizime.

Nga kjo masë përjashtohen automjetet e organeve të rendit dhe sigurisë publike, shërbimeve emergjente, si dhe institucionet shëndetësore.

Autoritetet u bëjnë thirrje operatorëve ekonomikë dhe drejtuesve të automjeteve të transportit të mallrave që të respektojnë kufizimin dhe të planifikojnë lëvizjet e tyre në përputhje me orarin e përcaktuar, me qëllim të ruajtjes së sigurisë në trafik dhe mbrojtjes së infrastrukturës rrugore.

Të Ngjashme