Sot përmbyllet afati për partitë politike të regjistruara në Kosovë që të njoftojnë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve lidhur me pjesëmarrjen ose mospjesëmarrjen në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit, si dhe për deklarimin e koalicioneve parazgjedhore.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur se deri të mërkurën në ora 12:00, 18 parti politike kanë konfirmuar pjesëmarrjen në zgjedhje, ndërsa katër të tjera kanë njoftuar se nuk do të marrin pjesë në procesin zgjedhor.
Sipas tij, deri më tani është regjistruar vetëm një koalicion parazgjedhor, “Koalicija VAKAT”, i krijuar nga dy subjekte politike boshnjake – Demokratska Stranka Boshnjaka dhe Demokratska Stranka Vatan.
KQZ ka sqaruar se ky proces vlen vetëm për partitë politike që aktualisht janë të regjistruara në regjistrin zyrtar të partive politike në Kosovë, ku figurojnë gjithsej 53 parti.
Ndërkohë, afati për aplikimin e subjekteve të reja politike, përfshirë koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur ka nisur më 2 maj dhe do të zgjasë deri më 10 maj.
Po ashtu, subjektet politike kanë afat deri më 12 maj 2026 për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë, përmes platformës elektronike të KQZ-së.
Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës do të mbahen më 7 qershor 2026.
