Lajme

Sot seanca e Kuvendit, në rend dite edhe Ligji për Dhomat e Specializuara

05.10.2026 – 08:39

Si lidhet Specialja me zgjedhjen e presidentit?

Shqyrtimi i projektligjit vjen vetëm një ditë para skadimit të afatit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.

Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka filluar më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor.

Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja parlamentare.

PDK-ja e ka kushtëzuar gatishmërinë e saj për të ndihmuar në zgjedhjen e presidentit me miratimin përfundimtar të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Kryetari Bedri Hamza ka thënë se partia e tij, e cila ka 22 deputetë, është e gatshme të diskutojë dhe të ofrojë votat për presidentin pasi Kuvendi ta përfundojë miratimin e ligjit.

Gjatë fundjavës, kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar takime të ndara me Hamzën dhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në përpjekje për të gjetur një rrugëdalje para skadimit të afatit kushtetues.

Për zgjedhjen e presidentit kërkohen 80 vota në dy rundet e para.

Nëse asnjë kandidat nuk e siguron këtë shumicë, në rundin e tretë nevojiten 61 vota, por për zhvillimin e procesit duhet të jenë të pranishëm së paku 80 deputetë.

Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit ka 53 deputetë.

Qeveria e saj u zgjodh me 62 vota, pasi atë e mbështetën edhe tetë deputetë të komuniteteve joserbe dhe deputeti serb, Nenad Rashiq.

Me 22 deputetët e PDK-së, do të sigurohej numri i nevojshëm i deputetëve për zhvillimin e procesit të zgjedhjes së presidentit.

05.10.2026 – 08:16

Çfarë synon të ndryshojë PDK-ja?

Projektligji i propozuar prek disa elemente të funksionimit dhe juridiksionit të Dhomave të Specializuara.

Ndër të tjera, nisma parasheh që rastet që konsiderohen jashtë juridiksionit të Dhomave të Specializuara, të mund të procedohen në Kosovë.

Ajo parasheh gjithashtu mundësinë e ankesës në Gjykatën Supreme të Kosovës, kufizimin e dënimit maksimal me burgim në 15 vjet, si dhe mundësinë që dënimet të mbahen në Kosovë.

Një tjetër ndryshim i propozuar do t’u mundësonte personave të dënuar nga Dhomat e Specializuara të jenë subjekt i faljes presidenciale.

05.10.2026 – 08:16

Ndryshimet për Specialen para Kuvendit

Kuvendi i Kosovës shqyrton sot ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara – nismë që është lidhur edhe me përpjekjet për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Seanca është caktuar të nisë në orën 09:00, ndërsa shqyrtimi i parë i projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar është pika e parë e rendit të ditës.

Nisma është paraqitur nga Partia Demokratike e Kosovës më 21 shtator, pesë ditë pasi Dhomat e Specializuara në Hagë kanë shpallur aktgjykimin ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më 16 shtator, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi janë dënuar me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vjet për krime lufte.

Të katërt janë shpallur të pafajshëm për krime kundër njerëzimit.

Mbrojtja ka paralajmëruar apelimin e pjesës dënuese të aktgjykimit.

05.10.2026 – 08:00

Sot seanca e Kuvendit, në rend dite edhe Ligji për Dhomat e Specializuara

Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot, më 5 tetor 2026, seancë të jashtëzakonshme plenare, duke filluar nga ora 09:00. Në njoftimin e Kuvendit bëhet e ditur se në rendin e ditës janë 22 pika, ndër to ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara, marrëveshje financiare, zgjedhje në borde dhe institucione, si dhe projektligje nga fusha e drejtësisë, energjisë, inovacionit dhe buxhetit.

Pika e parë e rendit të ditës është shqyrtimi i ndryshimit dhe plotësimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Në seancë do të shqyrtohet edhe ratifikimi i Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim për Projektin e Lojërave Mesdhetare XXI në Kosovë.

Në njoftimin e Kuvendit bëhet e ditur se do të shqyrtohen edhe ndryshimet e marrëveshjeve financiare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programet IPA 2021 dhe IPA 2022, si dhe Marrëveshja Financiare për Programin Shumëvjeçar IPA 2026-2027.

Në rendin e ditës janë edhe zgjedhja e dy anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, zgjedhja e kryesuesit të këtij bordi, zgjedhja e Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës dhe përzgjedhja e dy anëtarëve joekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.

Deputetët do të shqyrtojnë edhe Projektligjin për Byronë Shtetërore dhe Verifikimin e Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, si dhe Projektligjin për rekrutimin, vlerësimin e performancës, kontrollin e integritetit dhe statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Në rend dite janë edhe ndryshimet dhe plotësimet e ligjeve për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Projektligji për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe Projektligji për Akademinë e Drejtësisë.

Po ashtu, do të shqyrtohen projektligjet për Energjinë, Energjinë Elektrike, Inovacionin dhe Ndërmarrësinë, pagesat e vonuara në transaksionet tregtare, ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026 dhe Projektligji për Menaxhimin e Resurseve Ujore.

Para seancës plenare, Komisioni për Legjislacion do të mblidhet në orën 08:00 për të shqyrtuar projektligjin. Këtë e ka konfirmuar kryetari i komisionit, Vigan Qorrolli.

Të Ngjashme