Familjarë, miq dhe të afërm do t’u japin sot lamtumirën e fundit dy të rinjve nga Kosova, Jetmir Binakut dhe Leonit Aliut, të cilët humbën jetën tragjikisht në bregdetin e Shëngjinit.
Sipas njoftimeve të publikuara nga familjet, ceremonia e varrimit të Jetmir Binakut do të mbahet në orën 14:00 në varrezat e fshatit Gllobar të Drenasit.
“Me dhimbje dhe pikëllim të thellë, i njoftojmë të gjithë farefisin, miqtë dhe dashamirët se ka ndërruar jetë tragjikisht djali, vëllau dhe nipi ynë i dashur, Jetmir Binaku. Varrimi i të ndjerit bëhet nesër pas namazit të xhumasë në ora 14:00 në varrezat e fshatit Gllobar”, thuhet në njoftimin e familjes Binaku.
Ndërkaq, Leonit Aliu do të përcillet për në banesën e fundit në orën 15:00, në fshatin Rezallë, lagjja Aliu.
Babai i të ndjerit, përmes një njoftimi prekës, ka bërë të ditur kohën e ceremonisë së varrimit.
“Na ike shumë herët, në lulen e rinisë, por kujtimi yt, buzëqeshja jote dhe mirësia jote do të mbeten përgjithmonë me ne. Largimi yt la një boshllëk që nuk do të mbushet kurrë. Pusho në paqe, djali im Leonit”, ka shkruar ai.
Jetmir Binaku dhe Leonit Aliu humbën jetën në një ngjarje tragjike në Shëngjin, ku dyshohet se u morën nga rrymat dhe dallgët e forta të detit.
Ngjarja tragjike ndodhi të mërkurën, kur pesë shokë nga Kosova kishin hyrë në det, por dy prej tyre nuk arritën të mbijetonin, ndërsa tre të tjerët u dërguan në spital për trajtim.
