Kosovarët po votojnë sot, lirshëm dhe pa asnjë brengë për sigurinë e tyre, në zgjedhjet nacionale të shtetit të tyre, që janë të tretat brenda 16 muajve të fundit.
Në përgjithësi, votimet e 7 qershorit janë të njëmbëdhjetat që mbahen në nivel kombëtar, prejse vendi u çlirua nga Serbia, më 1999.
Në ditën e sotme të para 27 vjetëve, diçka e tillë ishte e paimagjinueshme.
Atëherë, Kosova mbahej e pushtuar nga Serbia, që kishte sjellë këtu qindra mijëra trupa ushtarake, policore e paramilitare duke ushtruar dhunë e terror mbi shqiptarët.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës po i kundërvihej, dinjitetshëm, forcave të Sllobodan Millosheviqit.
Pikërisht më 7 qershor 1999, pjesëtarë të UÇK-së ishin filmuar teksa luftojnë në kufirin ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, në përpjekje për të zgjeruar një rrip të vogël territori në rrethinën e Koshares, të cilin e kishin marrë nga forcat serbe, më herët.
Këta të fundit kërkonin ta rikthejnë këtë zonë, por UÇK-ja po i forcon pozicionet e saj.
Ekipi i APTN-së kishte filmuar një njësi të Ushtrisë Çlirimtare te Kosovës në vijën e frontit, teksa ajo u vu nën sulm nga ushtria serbe.
UÇK-ja, siç raportohej, po luftonte me mitralozë, raketahedhës dhe mortaja, ndërsa forcat serbe po përdorin tanke dhe topa artilerie.
Gjatë këtyre përleshjeve ishin plagosur dy ushtarë, njëri në shpinë dhe tjetri në këmbë.
Bashkëluftëtarët e tyre përpiqeshin t’i dërgojnë të lënduarit në spitalet në Shqipëri, por këtë herë ata ishin trajtuan në fushëbetejë me furnizimet e pakta mjekësore që kishin në dispozicion.
