Lajme

Spahiu: Kurti duhet të kërkojë që tani kandidatët e PDK-së dhe LDK-së për president

Profesori i shkencave politike, Nexhmedin Spahiu, ka vlerësuar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, do të duhej të niste që tani diskutimet për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm të Kosovës, duke i ftuar partitë opozitare të propozojnë kandidatët e tyre.

Në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, Spahiu tha se deklarata e parë e Kurtit pas zgjedhjeve do të duhej të ishte një ftesë për PDK-në dhe LDK-në që të nominojnë nga dy kandidatë për postin e presidentit.

Sipas tij, nga katër kandidatët e propozuar do të mund të gjendej një emër që do të siguronte mbështetjen e nevojshme në Kuvend.

“Akoma pa dalë rezultatet, unë ftoj PDK-në dhe LDK-në që tani  t’i nominojnë dy kandidatët e saj për president, që tani. Në mesin e këtyre katër të propozuarve, unë do ta zgjedh njërin. Sepse, kandidatin e asaj partie që zgjedh, unë do shkoj t’i jap nënshkrimet për dy kandidatët e asaj partie edhe mund të mos iu tregoj njerëzve se cilët kandidatë i kam përzgjedhur, por gjithsesi i jap nënshkrimet për dy kandidatët edhe kur të dalin në votime e votoj atë që shumica e deputetëve e parapëlqen. Ky është skenari më praktik, pazari më real”, tha ai në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.

Ai e cilësoi këtë si skenarin më praktik për arritjen e një marrëveshjeje politike rreth presidentit të ardhshëm, duke theksuar se procesi nuk duhet të lihet për momentet e fundit.

Spahiu paralajmëroi se mungesa e gatishmërisë së partive për të propozuar kandidatë dhe për të arritur kompromis mund ta çojë vendin sërish në zgjedhje të reja.

“Kjo është mënyra më praktike se qysh duhet me u zgjedh presidenti në kushtet dhe rrethanat ekzistuese. Albin Kurti, nëse e ka njëmend me zgjedh presidentin, nuk duhet me pritë momentin e fundit, por duhet që tani. Nëse PDK e LDK nuk janë në gjendje t’i propozojnë dy kandidatë, rrezikohet prapë për zgjedhje të reja”, deklaroi ai.

Të Ngjashme