Lajme

Spahiu: Osmani mund të rizgjidhet presidente vetëm nëse opozita fiton shumicën

Profesori, Nexhmedin Spahiu ka vlerësuar se Vjosa Osmani mund të bëhet sërish presidente e Kosovës vetëm nëse partitë opozitare arrijnë të fitojnë shumicën dhe Lëvizja Vetëvendosje siguron më pak se 40 deputetë në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit.

Në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, Spahiu ka deklaruar se në një situatë të tillë mund të arrihet një marrëveshje ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës, ku Osmani do të mbetej presidente, ndërsa posti i kryeministrit do t’i takonte PDK-së.

“Vetëm në rast se opozita fiton shumicën e votave edhe Albin Kurti fiton më pak se 40 deputetë atëherë është e sigurt që Vjosa Osmani do të jetë sërish presidente, ndërsa kryeministri do të jetë nga PDK-ja. Pra mund të ketë një marrëveshje PDK-LDK për pushtetin, por nuk ma merr mendja”, ka thënë ai.

I pyetur nëse PDK-ja do të votonte për Osmanin në kuadër të një marrëveshjeje të tillë, Spahiu është përgjigjur pozitivisht.

“Nëse bëjnë koalicion sigurisht që jep votë”, ka deklaruar ai.

Tutje, Spahiu ka shtuar se në rast se kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe VV-ja sigurojnë mbi 40 deputetë, atëherë Osmani do të ishte zgjedhja më e padëshiruar për presidente nga Kurti.

“Por nëse Albin Kurti do t’i ketë mbi 40 deputetë atëherë bëhet e pamundur zgjedhja e Osmanit për presidente, sepse tani pas gjithë kësaj që ka ndodhur zgjedhja më e padëshiruar për president do të jetë Vjosa Osmani. Ai do të mund ta pranonte këdo tjetër përveç Osmanit”, ka përfunduar Spahiu./teve1.info/

Të Ngjashme