Lajme

SPAK tjeter operacion/ AMP jep detajet: Masa sigurie për ish-drejtorin rajonal, ish-shefin e sektorit dhe familjarin e tij, kontrolle në banesa

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka dhënë detaje nga operacioni i zhvilluar në kuadër të një procedimi penal të ndjekur nga Prokuroria e Elbasanit, ku janë ekzekutuar masat e sigurimit të vendosura nga gjykata ndaj tre personave.

Sipas AMP-së, masat e GJKKO-së janë zbatuar ndaj ish-drejtorit të degës së AMP-së në Juglindje, ish-shefit të sektorit dhe një personi tjetër të lidhur familjarisht me njërin prej tyre.

Gjatë operacionit janë kryer edhe kontrolle në tre banesa, me qëllim kërkimin dhe administrimin e provave që mund t’i shërbejnë hetimit.

Ndaj Glodian Ahmetajt është vendosur masa “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, ndërsa ndaj Klevis Hoxhës dhe Devis Agos janë caktuar masa të tjera sigurie, përfshirë detyrimin e paraqitjes në Policinë Gjyqësore.

“Në zbatim të vendimit gjyqësor, ndaj shtetasit Glodian Gëzim Ahmetaj është caktuar masa e sigurimit “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, duke u urdhëruar të mos largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë dhe të dorëzojë pranë Policisë Gjyqësore dokumentet e vlefshme që shërbejnë për kalimin e kufirit shtetëror.

Ndaj shtetasit Klevis Hoxha janë caktuar masat e sigurimit “Paraqitja në Policinë Gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”. Ai është detyruar të paraqitet pranë Policisë Gjyqësore javën e parë të çdo muaji, ditën e hënë, ora 11:00, si dhe të dorëzojë dokumentet e udhëtimit sipas përcaktimeve të vendimit gjyqësor.

Ndaj shtetasit Devis Ago është caktuar masa e sigurimit “Paraqitja në Policinë Gjyqësore”, me detyrimin për t’u paraqitur javën e parë të çdo muaji, ditën e hënë, ora 12:00.

Gjatë operacionit janë ekzekutuar të gjitha detyrimet e përcaktuara nga gjykata, ndërsa me urdhër të autoritetit procedues janë ushtruar edhe tre kontrolle banesash me qëllim kërkimin dhe administrimin e provave me interes për hetimin.

Shtetasit Glodian Ahmetaj, ish Drejtor Dege në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, dhe Devis Ramadan Ago, ish Shef Sektori në AMP, janë subjekt i këtij procedimi penal dhe i masave të sigurisë të vendosura nga gjykata.”, thuhet në njoftimin e policisë./Top Channel

Të Ngjashme