Dhomat e Specializuara i kanë quajtur të pasakta disa nga interpretimet e raportit të Komitetit të të Drejtave të Njeriut të Dhomës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit, i cili është bërë me kërkesë të Zyrës së Avokatit të Popullit të Kosovës.
Avokati i Popullit të Kosovës, Naim Qelaj, në fund të prillit ka publikuar raportin e ekspertëve britanikë, përmes të cilit janë ngritur shqetësime për mënyrën se si janë zhvilluar proceset në Gjykatën Speciale në Hagë.
Në një reagim në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara thuhet se raporti nuk arrin në përfundimin se jurisprudenca e Dhomave të Specializuara shkel apo bie ndesh me jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Në reagim gjithashtu thuhet se raporti i Komitetit të të Drejtave të Njeriut të Dhomës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit, i porositur nga Avokati i Popullit, nuk ndikon dhe nuk do të ndikojë në aktivitetin gjyqësor të Dhomave të Specializuara.
